Londër – Pekin, përfundon “muaji i mjaltit”
Londra ka afruar politikat e saj me Uashingtonin sa i përket Kinës. Në fjalimin e tij të fundit si kryeministër, këshilla e Boris Johnsonit ishte që të qëndronin sa më afër amerikanëve në këto kohë të turbullta.
Londra ka përafruar politikat e saj të sigurisë dhe ekonomike me Uashingtonin sa i përket Pekinit.
Muaji i mjaltit, i cilësuar nga shumë ekspertë, kur Londra dhe Pekini gjatë qeverisjes së David Cameronit kishin marrëdhënie të mira, tashmë i përket së shkuarës.
Në të dyja brigjet e Atlantikut, në Londër dhe Uashington, pritet një marrëdhënie antagoniste me Pekinin në vitet në vijim.
Nismës britanike për të ndaluar ushtarakët e saj të trajnojnë trupat kineze këtë të mërkurë i është bashkuar edhe Australia.
Tashmë Londra ka kaluar në përcaktimin e Pekinit si kërcënim, nga konkurent që e cilësonte më parë.
Në vitin 2014 britanikët dhe kinezët do të firmosnin marrëveshje të rëndësishme tregëtare me njëri – tjetrin,ku kompanitë kineze filluan të zotëronin dhe të operonin stacionet e energjisë bërthamore të projektuara nga kinezët në Britani.
Shtatë vjet më vonë, Pekini tashmë shihet si rrezik i sigurisë kombëtare për Mbretërinë e Bashkuar.
Përtej Atlantikut, Presidenti aktual Biden po vijon linjën e paraardhësit Trump sa i përket Kinës.
Joe Biden ka mbajtur – madje edhe forcuar – shumë nga pozicionet e politikave të paraardhësit të tij, veçanërisht në lidhje me tregtinë, tarifat dhe kundërvënien ndaj objektivave të caktuara gjeostrategjike.
Ndërkohë, në Pekin po mbahet Kongresi i XX i Partisë Komuniste, ku analistët ndërkombëtarë po presin të shohin se si Kina do të adresojë çështje të rëndësishme ndërkombëtare në vitet e ardhshme.
