Sulmi në lokalin LGBT në Sllovaki/ Mijëra njerëz mblidhen për të mbajtur zi jashtë barit të Bratislavës

Mijëra njerëz u mblodhën për të mbajtur zi në Sllovaki të premten për të përkujtuar dy personat e vrarë jashtë një bari homoseksualësh.

Burrat u qëlluan për vdekje në kryeqytetin Bratislavë të mërkurën, në një krim të dyshuar të urrejtjes.

Organizatorët vlerësuan se 20,000 njerëz morën pjesë në këtë organizim, duke mbajtur zi për vdekjen e burrave dhe duke kërkuar mbrojtje për të drejtat e komunitetit LGBT.

Presidentja sllovake Zuzana Caputova, e cila ka ngritur flamurin e ylberit mbi zyrën e saj, foli rreth kësaj ngjarje.

Më vjen keq që shoqëria jonë nuk ishte në gjendje të mbronte të dashurit tuaj”, tha ajo.

“Ju bëni pjesë këtu, jeni të vlefshëm për shoqërinë tonë”.

Kryeministri Eduard Heger ishte gjithashtu në mbledhjen e organizuar nga Instituti Inakosť (Tjetërsia), një grup mbrojtës i LGBT.

Agjencia Kombëtare e Krimit të Sllovakisë i ka klasifikuar të shtënat si vrasje me paramendim, të motivuara nga urrejtja ndaj një pakice seksuale.

Ajo ka nxitur thirrje për më shumë mbrojtje të personave homoseksualë në Sllovaki, një vend relativisht konservator i BE-së ku martesat e të njëjtit seks nuk janë të ligjshme.

BBC raportoi se disa sllovakë ishin të zemëruar me atë që ata e shohin si hipokrizi nga politikanët.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Nënkryetari i Parlamentit Evropian, Michal Simecka, i cili ishte gjithashtu në veprimtarinë e së premtes, tha se donte që legjislatura evropiane të diskutonte vrasjet në një seancë javën e ardhshme.

“Të shprehim simpatinë tonë, por edhe t'u bëjmë thirrje autoriteteve sllovake që të ndërmarrin hapa të qartë për t'i dhënë fund gjuhës së urrejtjes ndaj personave LGBTI”, tha ai.

Dy burrat u vranë jashtë lokalit Teplaren të Bratislavës pranë qendrës së qytetit të mërkurën në mbrëmje. Një tjetër grua ka mbetur e plagosur, e cila tani ndodhet në gjendje të qëndrueshme në spital.

Pas një hetimi të shkurtër, policia gjeti trupin e 19-vjeçarit të armatosur, i cili besohet se ka qëlluar veten, mëngjesin e së enjtes.

Ai u identifikua si Juraj Krajcik, djali i një ish politikani të ekstremit të djathtë.

Pak para vrasjeve, ai kishte postuar një deklaratë anti-LGBT në Twitter, duke paralajmëruar se do të vepronte kundër tyre.