Rusia përvetëson centralin bërthamor
Presidenti Vladimir Putin urdhëroi shtetin rus më 5 tetor që të marrë kontrollin e plotë të centralit bërthamor të Zaporizhzhias pasi Moska aneksoi rajonin me të njëjtin emër pak ditë më parë.
Kjo është një nga lëvizjet e para të Kremlinit për të vendosur sundim mbi zonat e Ukrainës që Rusia tashmë i ka përvetësuar pas referendumeve të mbajtura në katër rajone të mëdha.
Pas nënshkrimit të dekretit që përcakton centralin bërthamor si pronë federale ruse, Putin tha se pret që situata në rajonet e aneksuara të stabilizohet.
Zaporizhzhia është qytet në juglindje të Ukrainës, ku ndodhet centrali më i madh bërthamor në Evropë.
Kontrolli i këtij centrali është marrë nga forcat ruse pak kohë pasi Moska nisi sulmin ndaj Ukrainës në 24 shkurt.
Rosenergoatom, operatori rus i energjisë bërthamore, tha se do të vlerësojë dëmet në infrastrukturën e uzinës dhe do t'i transferojë punonjësit ukrainas në një organizatë të re në pronësi ruse.
Ndërsa operatori shtetëror bërthamor ukrainas, Energoatom, tha se dekreti i Putinit dhe dokumentet e tjera ruse në lidhje me centralin bërthamor janë të pavlera dhe absurde.
Energoatom tha se centrali do të vazhdojë të funksionojë në përputhje me legjislacionin ukrainas.
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, u nis për në Kiev më 5 tetor, dhe pritet që ta vizitojë edhe Moskën gjatë kësaj jave.
