Shkodra vetëm dy linja urbanësh, kryebashkiaku kërkon nga këshilli socialist zgjerimin e shërbimit
Edhe pse me një shtrirje të madhe, vetëm dy linja transporti urbanë operojnë në Shkodër, çka penalizon banorët e shumë zonave. Përballë kërkesave të qytetarëve, kryebashkiaku Bardh Spahia kërkon nga Këshilli Bashkiak i dominuar nga socialistët miratimin e linjave të reja të transportit urban.
Territori i Bashkisë Shkodër nis në det e përfundon në alpe, por në të gjithë këtë hapësirë veprojnë vetëm dy linja të transportit urban.
Kryebashkiaku Demokrat, Bardh Spahia në këtë situatë kërkon nga këshilli bashkiak, i dominuar nga socialistët, miratimin e linjave të reja.
"Kemi Shirokë-Zogaj, dhe linjën e Baçallëkut. Do të na interesonte shumë që të arrijmë të bëjmë edhe linjën Kiras-Stacionin e Trenit edhe Unazën. Të dyja janë linja shumë të rëndësishme që do ti ofronin një shërbim të shtuar qytetarëve të Shkodrës," tha Spahia.
Në krah të një prej operatorëve që ofron këtë shërbim, Kryebashkiaku i Shkodrës, kërkoi zbatimin e orareve.
"Duhet të koordinojmë frekuencën e autobusave dhe me orarët e shkollave ose të punës dhe flukseve kryesore të qytearëve aty. Korrektesa në ato orare do të ishte vlerë e shtuar," tha ai.
Viti 2023 shënon përfundimin e kontratave egzistuese të transportit urban në Shkodër dhe hapjen e garës për zgjerimin e këtij shërbimi.
