Ura e vjetër e Milotit në rrezik, banorët fajësojnë shfrytëzimin pa kriter të lumit për inerte
Veç urës së Zogut edhe ura në aksin e vjetër Lezhë-Milot, po shkon drejt degradimit, situatë për të cilën banorët fajësojnë shfrytëzimin pa kriter të lumit Mat për inerte
Ura mbi Lumin Mat në aksin e vjeter rrugor Lezhë-Milot, shumë shpejt pritet të ketë fatin e asaj të zogut.
E ndërtuar në vitin 1987, kjo urë rrezikon shembjen.
Këmbët e strukturës kanë dalë në siperfaqe dhe janë anuar në disa vende, ndërsa hapësirat mes trarëve lidhës janë zgjeruar duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve.
Reshjet e fundit të shiut e kanë përkeqësuar edhe më tej situatën.
"Sikur mos të ketë shtet fare. Në 30 vite demokraci mos të bëjnë 1 km rrugë është turpi i botës," thotë një banor.
Banorët thonë se shkak është bërë shfrytëzimi pa kriter i lumit për inerte.
"Është marrë gjithë rëra poshtë. Kjo rrezikon dita-ditës," thotë ai.
Në këto kushte sipas tyre nuk do të jetë e largët dita kur kjo urë mund të shembet plotësisht.
"Këtu po nuk ra diçka, nuk bëhet asnjë gjë. Ishalla me shpresë të zotit…" thonë kalimtarët.
I kontaktuar për këtë çështje prefekti i Lezhës Gjergj Prendi, thotë se institucioni që ai drejton përmes shkresave ju ka përcjellë shqetësimin institucioneve qëndrore, por deri tani asnjë masë nuk është marrë.