Moda dixhitale, trendi futuristik që ofron veshje të shtrenjta virtuale
Moda po shkon drejt të ardhmes dixhitale. Në këtë botë të re utopike mund të blihen veshje të shtrenjta që mund t’i keni vetëm online. Markat më prestigjioze po bëhen pjesë e këtij trendi futuristik.
A do të paguanit 1000 $ për një veshje që mund të keni vetëm online? Kjo është moda dixhitale, një botë në dukje utopike ku stilistët janë të çliruar nga praktikat fizike.
“Auroboros” është shtëpia e parë e modës që bashkon shkencën dhe teknologjinë me modën fizike, si dhe veshjet e gatshme vetëm dixhitale. Bashkëthemelueset Alissa Aublekova dhe Paula Sello shpjegojnë procesin e krijimit nga studioja e tyre në Londër.
“Duke marrë frymëzim nga natyra dhe përparimet e jashtëzakonshme të teknologjisë dhe shkencës së shekullit të 21-të, ne konceptojmë idetë dhe dizajnet e modës për një të ardhme utopike.
Ne i shtyjmë kufijtë e asaj që është e mundur në mënyrë krijuese, duke prodhuar një linjë veshjesh dixhitale të përbërë nga materiale "joreale" që do të kishin qenë të pamundura për t'u veshur më parë,” shprehet Aublekova.
“Ne besojmë se e ardhmja e modës dixhitale do të kapërcejë përtej ekranit dhe në botën reale”, nënvizon Sello.
Edhe markat prestigjioze si Christian Louboutins, Dior, Balenciaga etj, që kanë hyrë në modën dixhitale besojnë se veshjet virtuale do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.
“Moda nuk është vetëm për të na mbajtur ngrohtë. Ka të bëjë me shprehjen, komunitetin krijues” tha Elliott Young, bashkëthemelues i Institutit të Modës Dixhitale, një institut që këshillon klientët se si të përfshihen në modën virtuale.
Veshje virtuale mund të blihen në platformat e e-commerce si DressX, shitësi më i madh i modës dixhitale në botë Replicant, etj.
Blerësit mund t’i tregojnë veshjet e tyre në fotografi, në metaverse ose përmes filtrave AR të cilat mundësojnë që veshjet dixhitale të lëvizin me trupin në kohë reale.
Një pjesë e modës dixhitale mund të variojë në çmim diku nga 1 dollarë për veshje deri në mijëra, në varësi të markës dhe të detajeve, njësoj si artikujt në botën reale.
Blerja e veshjeve dixhitale në metaverse shpesh kërkon një monedhë dixhitale.