Histori që frymëzon! “Kampione Shqipërie” në rrethana të çuditshme, Xheni Kozi rrëfen historinë e veçantë
Ishte vetëm 6 vjeçe kur nisi gjimnastikën. Arriti të dalë shumë herë kampione Shqipërie. Rrëmbeu jashtë vendit 5 medalje.
Në emisionin “Jeto me Orën” në RTV ORA Xheni Kozi tregoi se sa shumë ka punuar për t’ia arritur qëllimeve të saj.
Xheni Kozi: Duhet të bëja 1 ore e gjysmë rrugë për të bërë stërvitje, pastaj 4 orë stërvitje. Mbështetja më e madhe ka qenë nga familja ime e cila më ka orientuar me këtë lloj sporti. Në moshën 9 vjeçare zura dhe vendin e parë. Punoja shumë zgjohesha në 5 bëja stërvitje, shkollë, pastaj stërvitje dhe në shtëpi kthehesha shumë vonë.
Ajo ja arriti qëllimit, fitoi titullin “Kampione Shqipërie” dhe këtë e mësoi në rrethana aspak të zakonshme.
Xheni Kozi: Në moshën 12 vjeçare pësova rëni nga paralelja dhe pësova dëmtim të rëndë të hundës. Shkoja me allçi në hundë në stërvitje, pastaj më rridhte gjaku. Bëra garën, pasi kam mbaruar garën kam mbetur pa ndjenja dhe kur jam zgjuar më kanë thënë “ke dalë kampione Shqipërie”.
Dëshira për të vijuar më tej ishte e madhe por tashmë gjimnastes Xheni Kozi i duhej të përballej me sprova të reja në jetën e saj.
Një sëmundje e përballi me disa ndërhyrje por ajo ja arriti të ngrihet mbi çdo gjë. Ajo u shndërrua në trajnere me qëllim përçimin e pasionit tek brezat e rinj.
Xheni Kozi: Para 3 vitesh mësova se kam një sëmundje. Nuk është e lehtë të përballesh me realitetin. Është sëmundje që prek pjesën e zorrëve, nuk do shumë lodhje. Kisha të vjella, rënie flokësh, humbje ekuilibri, nuk kisha mundësi të bëja asgjë. Shkoj natën në spital bëja qetësues dhe ikja në punë. Gjatë gjithë kohës jam me terapi me mjekime, dhe mjekimet i marr venozë. Jam çdo javë në spital. Zgjohesha me dëshirën që duhet të bëj diçka jo sëmundja të më mund mua por unë ta mund sëmundjen. Dhe kur isha në Turqi më thanë që për 6 muaj nuk duhet të bëja më asnjë aktivitet. Gjatë gjithë kohës jam me ndërhyrje 1 herë në 6 muaj jam me ndërhyrje.
Pavarësisht sprovave rikthimi tek puna dhe pasioni i saj mbeten momente të bukura për Xhenin.
Xheni Kozi: Gjithmonë kisha besimin se do t’ia ridilja. Arnoldi dhe Artani më kanë bërë një pritje shumë të mirë. Kur u ktheva ishte ndjesia më e bukur që kam përjetuar.
“Në jetë nuk është gjithmonë ashtu siç mendojmë ne. Ne duhet të kemi guximin ti kalojmë sprovat”, shprehet Xheni.


