Takimi i jashtëzakonshëm, Josep Borrell: Ministrat e Jashtëm do të diskutojnë sanksionet e reja kundër Rusisë

Mbështetja e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën dhe vendosja e sanksioneve të reja kundër Rusisë pritet të diskutohen të enjten në agim nga ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së, të cilët do të mbajnë një takim të jashtëzakonshëm në Nju Jork, njoftoi kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrel.

Borrell theksoi se BE-ja nuk është e përfshirë në luftën në Ukrainë, por nuk do ta lejojë veten të ngacmohet nga presidenti rus Vladimir Putin.

 “Është e qartë se Rusia dëshiron të shkatërrojë Ukrainën”, nënvizoi ai.

Kërcënimi i presidentit rus për të përdorur armë bërthamore është "i papranueshëm", tha Borrel në një konferencë shtypi në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke denoncuar një "përshkallëzim të ri" nga ana e Rusisë.

 “Komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë”, shtoi ai.

 “Unë pres që (ministrat) të diskutojnë se si mund të vazhdojmë mbështetjen tonë ushtarake për Ukrainën, si mund të vazhdojmë të ushtrojmë presion ndaj Rusisë. Çështja e sanksioneve padyshim do të jetë në tavolinë”, vazhdoi Borrell, duke vënë në dukje se ai do të fillojë të bëjë propozime për këtë çështje.

Borrel tha gjithashtu se nuk planifikon të takohet me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili është gjithashtu në Nju Jork këtë javë.

Në një intervistë dhënë për rrjetin televiziv amerikan CNN, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi më herët se deklaratat e Putinit kërkojnë “sanksione të reja nga ana jonë”.

BE-ja ka miratuar tashmë gjashtë grupe sanksionesh ekonomike kundër Rusisë, por Hungaria ka thënë se është kundër vendosjes së masave të reja.

Për të vendosur sanksione, kërkohet unanimiteti i vendeve anëtare.