Ministrat e Jashtëm evropianë, takim të jashtëzakonshëm në Nju Jork pas fjalimit të Putinit
Fjalimi i Vladimir Putin që shpalli mobilizimin e pjesshëm shtatë muaj pas pushtimit të Ukrainës ka shkaktuar një reagim zinxhir.
Kështu, në agimin e së enjtes ministrat e jashtëm evropianë që ndodhen në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pritet të mbajnë një takim urgjent në sfondin e zhvillimeve në Ukrainë.
Pasditen e së mërkurës, zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano,nisi një sulm ndaj Vladimir Putin, duke folur për një "bixhoz shumë të rrezikshëm bërthamor" nga presidenti rus.
"Putini po përdor armë bërthamore si pjesë të arsenalit të tij të terrorit dhe kjo është e papranueshme," tha zoti Stano, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjë presion ndaj Putinit "të ndalojë këtë sjellje të papërgjegjshme".
Në të njëjtën kohë, ai bëri të qartë se "referendumet ilegale" në zonat e kontrolluara nga Rusia të Ukrainës, të cilat ai njoftoi se Putini do t'i mbështeste në çdo mënyrë, "nuk mund të njihen".
Lidhur me vendimin për mobilizim të pjesshëm në Rusi, përfaqësuesi i BE-së komentoi se kjo dëshmon “dëshpërimin” e Putinit dhe e vetmja gjë që do të arrihet me këtë do të jetë përshkallëzimi i krizës.
“Kjo është një tjetër dëshmi se Putini nuk është i interesuar për paqen, se ai është i interesuar të përshkallëzojë luftën agresive. Është një dëshmi e mëtejshme e dëshpërimit të tij për mënyrën se si sulmi i tij në Ukrainë po formohet. Atij i intereson vetëm vazhdimi i luftës shkatërruese që tashmë po sjell pasoja shumë të këqija në mbarë botën” përfundoi Peter Stano.
