Glauk Konjufca në Lezhë: Skënderbeu, personazhi më i lavdishëm i historisë kombëtare!

Një delegacion i kryesisë së Kuvendit të Kosovës i udhëhequr nga kryetari Glauk Konjufca, ka vizituar Lezhën. Konjufca nga vendvarrimi i heroit tonë, ka thënë se Skënderbeu është figura më e rëndësishme e kombit shqiptar, ndërsa Lidhja e Lezhës një ndër tre ngjarjet më madhështore të historisë.

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca dhe një delegacion i kryesisë së Kuvendit atje, vizituan Lezhën këtë të mërkurë.

Nga vendvarrimi i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Konjufca vlerësoi figurën e heroit, ndërsa shtoi se Kuvendi i Lezhës është një ndër 3 ngjarjet kryesore të historisë së kombit tonë.

"Kuvendi i Lezhës është një nga tri ngjarjet më të rëndësishme të kombit tonë kurse personaliteti dhe figura e Gjergj Kastriotit Skëndërbeut padiskutim që është më e rëndësishmja historikisht për kombin shqiptar."

Por Kosovën dhe Shqipërinë, sipas Konjufcës, nuk i lidh vetëm e shkuara, por edhe e tashmja.

"Lezha është dhe një vend shumë i dashur turistik për popullin tonë, qytetarët tanë të cilët vijnë masivisht për të kaluar pushimet  erës dhe gjejnë këtu një mikpritje, e cila i lidh edhe më shumë."

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës po qëndron në vendin tonë prej dy ditësh, ndërsa më herët kanë zhvilluar takime me homologët e tyre shqiptarë në Kuvendin e Shqipërisë dhe kryetaren Lindita Nikolla.