Leksione nga Moska për të ndarë Bosnjën
Lideri serb i Presidencës boshnjake Millorad Dodik ka mbështetur referendumet që pritet të mbahen në Donbas me qëllim bashkimin e rajonit me territorin e Federatës Ruse.
Dodik ndodhet në Moskë ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin.
Millorad Dodik foli për mediet ruse të cilave u tha se kishte në plan që të dërgonte ekipe nga Bosnje Hercegovina për të parë nga afër mbajtjen e referendumeve të njëanshëm nga pala ruse.
Mirëpo planet e liderit serb të Bosnjës mund të shkojnë përtej mbështetjes së tij ndaj politikave të Kremlinit pasi ai është rreshtuar prej kohësh në krah të presidentit Putin dhe në vend që të dënonte agresionin rus, ai ka dënuar sanksionet e perëndimit kundër Moskës.
Brukseli dhe Uashingtoni kanë qenë dyshues prej kohësh se planet e Rusisë janë me karakter destabilizues në Ballkan dhe se Dodik dhe Aleksandër Vuçiç mund ta ndanin Republikën Serbe nga pjesa tjetër e federatës kroate-boshnjake.
Për të njëjtat motive zoti Dodik është i shpallur non-grata nga SHBA-të dhe Britania e Madhe.
Të martën, 20 shtator, dy të ashtuquajturat republika popullore Lugansk dhe Donjeck të cilat ndodhen nën pushtimin rus kërkuan që të bashkohen me territorin rus përmes referendumeve si ai i Krimesë në vitin 2014.
