Atentati ndaj kryeministrit, qeveria e Kosovës për Ora News: Kurti u njoftua nga Inteligjenca, ja pse nuk u bë publik
Qeveria e Kosovës ka reaguar pas publikimit të lajmit mbi planifikimin e një atentati ndaj kryeministrit të Kosovës.
Në përgjigje të gazetarit të Ora News, Isa Myzyraj, zyra për shtyp e Kryeministrisë thotë se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
Sipas zyrës për shtyp të kryeministrisë së Kosovës, institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi ndërsa theksohet se rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka shpëtuar një atentati në vitin 2021.
Ky fakt ka dalë në dritë pas hakerimit të emailit të Drejtori të Përgjithshëm të Policisë së kohës, Gledis Nano, nga autorët e sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë.
Në materialet e kopjuara flitet për një plan që persona të identifikuar nga Antiterrori i Kosovës kishin për ekzekutimin e Albin Kurit dhe 2 personave të tjerë.
Sipas emailit në shënjestër ka qenë Ismet Haxha, Xhavit Haliti dhe Albin Kurti.
I dyshuari për kryerjen e atentatit ka qenë Prek Kodra, një shtetas shqiptar, i cili përshkruhej si person me aftësi të mira në përdorimin e snajperëve dhe pushkëve.
Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje, në Kosovë dhe Mal të Zi.
Sipas emailit i dyshuari jeton në Shkodër dhe operon në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan në Kosovë.
Sipas policisë shqiptare ky person është me precedentë penalë dhe është hetuar nga Njësia e Sektorit të Krimit në Shqipëria për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut.
Në email shkruhet se objektivi i parë është Ismet Haxha, ish-pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) dhe i afërm i Kadri Veselit.
Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, anëtar i PDK-së dhe ish-deputet, i cili do të vritet muaj pas Haxhës, për ta bërë të duket si hakmarrje për vrasjen e Haxhës.
Objektivi i tretë ka qenë kryeministri Albin Kurti, i cili do të vritet një muaj pas atentatit të Halitit atentat.
Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Republikës së Kosovës.
Në dokument thuhej se me vrasjen e Albin Kurtit, partia VV do të dobësohet dhe PDK dhe AAK do të merrnin udhëheqjen politike në vend.
