Putin: Erdogan po ndihmon për përfundimin e luftës, por Zelensky nuk është gati për bisedime

Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi sot përpjekjet e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, por tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk ishte gati për t'iu bashkuar bisedimeve të paqes.

Duke folur në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Uzbekistan, Putin tha se Erdogan ka propozuar në mënyrë të përsëritur takime me Zeleskyn, megjithëse ai nuk e bëri një propozim të tillë në takimin e tyre në Samarkand  dhe se lideri turk ka një "kontribut të rëndësishëm" në përpjekjet për  përfundimin e konfliktit.

Presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar gjithashtu Perëndimin se dëshiron të ndajë Rusinë dhe tha se ai dërgoi forcat e armatosura ruse në Ukrainë në shkurt për ta parandaluar këtë.

Duke folur në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait dhe duke diskutuar publikisht luftën për herë të parë që kur Ukraina i shtyu trupat ruse nga rajoni i Kharkiv javën e kaluar, Putin kërcënoi me sulme në infrastrukturën ukrainase dhe tha:

"Ne do të shohim se si do të përfundojë (kundërofensiva e Ukrainës)."

Presidenti rus tha gjithashtu se Rusia nuk po nxiton t'i japë fund "operacionit special ushtarak" në Ukrainë dhe se gradualisht po e vë nën kontrollin e saj territorin ukrainas.

Duke iu referuar krizës energjetike në Evropë, ai mohoi se Rusia ka ndonjë lidhje me këtë krizë dhe tha se nëse vendet evropiane duan më shumë gaz natyror, duhet t'i kërkojnë Ukrainës hapjen e tubacioneve të gazit natyror dhe heqjen e sanksioneve që pengojnë hapjen e tubacioneve të gazsjellësit Nord Stream 2 në Detin Baltik.