Kombet e Bashkuara thonë se perspektivat për paqe janë "minimale”

Perspektivat për paqen në Ukrainë janë aktualisht “minimale”, tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së të mërkurën pas një bisede telefonike me presidentin rus Vladimir Putin.

Antonio Guterres tha se ai dhe presidenti rus diskutuan përpjekjet për të kapërcyer "pengesat" që mbeten të lidhura me eksportet e ushqimit dhe plehrave të Rusisë, por paralajmëroi se do të ishte "naive" të besohej se ka pasur përparim të mjaftueshëm drejt një përfundimi të shpejtë të luftës në Ukrainë.

“Kam ndjenjën se jemi ende shumë larg paqes. Do të gënjeja nëse do të thosha se mund të ndodhë së shpejti”, tha Guterres.

“Nuk kam asnjë iluzion; në momentin e tanishëm shanset për një marrëveshje paqeje janë minimale”, shtoi ai, duke vënë në dukje se edhe një armëpushim “nuk është në dukje”.
Megjithatë, Guterres ripohoi se po mbante kontakte me të dyja palët dhe shprehu shpresën se “një ditë do të jetë e mundur të shkohet në një nivel më të lartë diskutimi”.

Ndërkohë vazhdojnë bisedimet për eksportet ruse. Guterres tha se ai foli me Putinin më herët të mërkurën dhe se ata diskutuan nismën e eksporteve "dhe zgjerimin emundshëm të saj".

Një marrëveshje me dy pjesë - që lejon rrjedhën e eksporteve të drithërave të Ukrainës të bllokuara nga lufta dhe eksportet ruse të ushqimit dhe plehrave - u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia në korrik dhe është planifikuar të zgjasë 120 ditë.

Ndërsa rreth tre milionë tonë drithë janë lejuar të largohen nga Ukraina, Rusia thotë se eksportet e produkteve të saj ushqimore dhe plehrave vazhdojnë të vuajnë nën sanksionet perëndimore, të cilat kanë shënjestruar Moskën për sulmin e saj ushtarak.

"Ka disa eksporte të ushqimit dhe plehrave ruse, por shumë më të ulëta se ajo që është e dëshirueshme dhe e nevojshme," tha Guterres, duke shtuar se ka diskutime për mundësinë e eksporteve ruse të amoniakut përmes Detit të Zi.
Guterres paralajmëroi se kriza e plehrave ka arritur një nivel "dramatik", duke përsëritur frikën e tij për një mungesë globale të ushqimit vitin e ardhshëm./The Guardian/