Mbreti Charles i drejtohet sot kombit për herë të parë si monark, mijëra njerëz e presin para Pallatit Mbretëror

Mbreti Charles i Britanisë do t'i drejtohet të premten një kombi të trishtuar pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth që qëndroi për shtatë dekada në fron.

Mbretëria është në periudhë zie kombëtare për monarken e vetme që ka njohur ndonjëherë shumica e britanikëve.

Mbreti Charles III pritet t'i drejtohet kombit për herë të parë si sovran në orën 18:00, pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.

Monarkja më jetëgjatë e Britanisë vdiq në mënyrë paqësore, e rrethuar nga familja e saj, në Balmoral të Skocisë të enjten.

Mbreti përshëndeti turmat jashtë Pallatit Buckingham në kthimin e tij në Londër me bashkëshorten e mbretit, Camilla.

Në sfond përshëndetje me armë dhe këmbana kishash.

Përpara se të hynte në pallat, Mbreti Charles doli nga makina e tij dhe shtrëngoi duart me njerëzit, disa prej të cilëve u dëgjuan të thërrisnin "Zoti e ruajt Mbretin".

Rreshti i njerëzve, në dukje i pafundëm shtrënguan duart me Mbretin për ti përcjellë ngushëllimet e tyre.

Camilla, bashkëshortja e mbretit, u përmbajt ndërsa ai përshëndeti njerëzit.

Më pas çifti shkoi për të parë sëbashku qindra homazhe me lule të vendosura jashtë pallatit.

Më pas hynë në pallatin mbretëror.

Ngushëllime nga e gjithë bota për vdekjen e Mbretëreshës

Monarkja më jetëgjatë e Britanisë vdiq në mënyrë paqësore, e rrethuar nga familja e saj, në Balmoral të Skocisë të enjten.

Mbreti Charles, që nxitoi të enjten për të qenë në krah të mbretëreshës në shtëpinë e saj në Skoci, u kthye të premten në Londër me gruan e tij Camilla, tani Mbretëresha Bashkëshorte. Ai do të takohet me kryeministren Liz Truss dhe do të mbajë një fjalim televiziv para kombit.

Gjithë bota po dërgon ngushëllime për vdekjen e mbretëreshës, monarkes më jetëgjatë të Britanisë dhe një figurë qendrore në skenën botërore për 70 vjet.

Qytetarët britanikë filluan që në mëngjes të mblidheshin përsëri para Pallatit Buckingham dhe Kështjellës Ëindsor për të vendosur lule.

Tabela anembanë qytetit përmbanin mesazhe ngushëllimi dhe gazetat publikuan homazhe me foto në faqet e para për mbretëreshën.

Pallati Buckingham tha se familja mbretërore do të mbajë një periudhë zie deri një javë pas funeralit, data e të cilit ende nuk është konfirmuar, por pritet të mbahet brenda rreth 10 ditëve.

Qeveria shpalli një periudhë zie kombëtare e cila do të vazhdojë deri në funeralin shtetëror.

Elizabeth ishte kryetarja e shtetit e Mbretërisë së Bashkuar dhe 14 territoreve dhe vendeve të tjera, mes së cilave Australia, Kanadaja, Xhamajka, Zelanda e Re dhe Papua Guinea e Re.