Truss mban premtimin/ Ndryshon tavani për çmimin e dritave, rikthehet kërkimi i gazit me shpim
Në ditën e dytë të detyrës, kryeministrja britanike ka mbajtur premtimin për të cilin u zgjodh, atë të masave të energjisë elektrike e cila u bë kali i nxehtë i betejës 2 mujore brenda konservatorëve.
Kryeministrja e sapozgjedhur Liz Truss ka zbuluar planin për të ngrirë faturat vjetore të energjisë në 2500 paund për qytetarët britanikë deri në vitin 2024.
Zonja Truss thotë se plani i saj për përballimin e rritjes së çmimit të gazit do t’i kursejë rreth 1000 paund në vit familjeve britanike.
"Kjo qeveri po lëviz menjëherë për të futur një garanci të re të çmimit të energjisë që do t'i japë njerëzve siguri për faturat e tyre. Do të frenojë inflacionin dhe do të nxisë rritjen. Kjo garanci, e cila përfshin një pezullim të përkohshëm të taksave të gjelbra, do të thotë që nga 1 tetori, një familje tipike do të paguajë jo më shumë se 2500 paund në vit për secilin nga dy vitet e ardhshme, ndërkohë që ne e kthejmë tregun e energjisë në rrugën e duhur," tha Truss.
Megjithatë ish-kryediplomatja e vendit refuzoi të specifikojë koston totale të programit që mendohet të kushtojë rreth 150 miliardë dollarë.
Ndërhyrja do të kushtonte dyfish më shumë se sa kostoja e paketës së ndihmës gjatë pandemisë e cila kapi një shifër prej 70 miliardë dollarësh.
Bizneset do të kenë të njëjtën garanci për gjashtë muajt e ardhshëm, ndërsa do të përfitojnë edhe shërbimet publike si shkollat dhe spitalet.
Skema vjen në krye të masave të shpallura nga kancelari i mëparshëm, Rishi Sunak, në mars, por shkon dukshëm më tej në shkallën e saj.
Zyrtarët po punojnë për një skemë ekuivalente për Irlandën e Veriut, e cila nuk i nënshtrohet të njëjtit sistem çmimi, dhe një fond për të mbështetur familjet që nuk kanë kontrata standarde të gazit ose energjisë elektrike.
Truss njoftoi gjithashtu një sërë masash që synojnë të nxisin prodhimin vendas të energjisë, duke përfshirë fundin e moratoriumit të kërkimit të energjisë me shpim i cili ishte i ndaluar që prej 2019 pas ankesave të grupeve ambientaliste e cila solli rritje të çmimi të energjisë.
