Putin: Sanksionet e perëndimit kërcënim për mbarë botën. Rusia nuk ka humbur dhe nuk po humb asgjë

Presidenti i Rusisë shprehet i pashqetësuar nga lufta që vazhdon prej 6 muajsh në Ukrainë. Edhe pse perëndimi flet për humbje të mëdha të ushtrisë ruse kreu i Kremlinit thotë se Moska s’ka humbur asgjë dhe përkundrazi ka fituar sovranitetin. Sanksionet i ka quajtur një rrezik për mbarë botën dhe aspak për Rusinë.

Mijëra jetët e humbura të ushtarëve rusë dhe të disa gjeneralëve, apo edhe qindra mjeteve ushtarake nuk i hyjnë në sy iniciatorit të luftës në Ukrainë, Vladimir Putin.

Ndërsa po merr pjesë në Forumin Ekonomik Lindor, lideri rus është i bindur për t’i shkuar pushtimit të Ukrainës deri në fund duke përmendur fitoren e Rusisë nga këto 6 muaj e gjysmë luftë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Jam i sigurt se ne nuk kemi humbur asgjë me fillimin e operacionit ushtarak në Ukrainë dhe nuk do të humbasim asgjë.

Gjëja kryeosre që kemi fituar është forcimi i sovranitetit tonë. Ne e bëmë këtë qëllimisht, të gjitha veprimet tona kanë për qëllim të ndihmojnë njerëzit që jetojnë në Donbas, kjo është detyra jonë dhe ne do t’i përmbushim ato deri në fund," tha ai.

Kreu i Kremlinit i kritikuar ndërkombëtarisht për nisjen e agresionit në Ukrainë i legjitimon veprimet e ushtrisë së tij në shtetin fqinj me pretendimet e hershme të keqpërdorimit të forcës së qeverisë së Kievit për popullin e Donbasit.

Për këtë lideri rus thotë se Moska po përpiqet të përmbyllë atë që ishte nisur që në 2014.

"Dua ta theksoj edhe një herë tezën time të saktë, ne nuk kemi filluar asgjë në aspektin e operacioneve ushtarake, vetëm po përpiqemi ta përfundojmë atë.

Operacionet ushtarake filluan pas grushtit të shtetit në vitin 2014, ata që nuk donin një zhvillim paqësor kërkonin të shtypnin popullin duke i nënshtruar njerëzit që jetonin në Donbas për tetë vjet," deklaroi Putin.

Së fundmi Vladimir Putin foli edhe për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.

Duke fajësuar perëndimin se po rrezikon të varfërit nga uria, lideri rus me moskokëçarje thotë se goditjet ekonomike ndaj Moskës nuk mundën ta izolonin shtetin e tij.

"Sado që dikush tentoi të izolojë Rusinë, është e pamundur ta bëjë këtë, siç kemi thënë gjithmonë për të. Vetëm shikoni hartën.

Duke përdorur avantazhet tona konkurruese natyrore, ne do të vazhdojmë të rrisim transportin, potencialin tonë, të zgjerojmë rrjetin e rrugëve automobilistike dhe hekurudhore, të ndërtojmë qasje të reja për terminalet detare dhe të rrisim kapacitetin e tyre," tha Putin.