Ukraina përplaset me Hungarinë për "Gjeografinë", Krimeja njihet si pjesë e Rusisë

Kievi zyrtar ka akuzuar qeverinë e Viktor Orban se ka botuar tekste shkollore anti-ukrainase. Në një libër gjeografie, Krimea njihet si pjesë e Rusisë me të cilën Ukraina dhe një sërë shtetesh perëndimore nuk pajtohen. 

Ukraina ka protestuar ndaj Budapestit zyrtar lidhur me tekstet shkollore të vendit pasi dyshon se Hungaria ka përdorur gënjeshtra anti-ukrainase në tekstet e saj të gjeografisë të klasës së tretë.

Diplomatët ukrainas kanë mbajtur një takim në Ministrinë e Jashtme hungareze gjatë të cilit e quajtën të papranueshme paraqitjen e fakteve të shtrembëruara lidhur me historinë e Ukrainës duke kërkuar korrigjimin e informacioneve të rreme sa më shpejt të jetë e mundur.

Teksti shkollor në fjalë është publikuar në Portalin Kombëtar të Arsimit Publik.

Ndër të tjera, në të evidentohet se malet e vetme në Ukrainë janë Karpatet duke lënë mënjanë malet e Krimesë, gadishull ky që i përkiste Ukrainës përpara vitit 2014, kohë kur u aneksua nga Rusia.

Në një pjesë tjetër të tekstit thuhet se gjuha ruse dhe ajo ukrainase kanë shumë ngjashmëri dhe vëren se pjesa më e madhe e lindjes së Ukrainës është e banuar nga rusët dhe gati 1/5 flet një gjuhë të përzier mes rusishtes dhe ukrainishtes.

Kjo nuk është hera e parë që Kievi përplaset me Budapestin.

Pasi fitoi mandatin e katërt, kryeministri hungarez Viktor Orban e rreshtoi presidentin ukrainas Zelenski mes atyre që donin të ndërhynin në zgjedhjet e 3 prillit kundër fitores së tij.

Lideri ukrainas e ka akuzuar indirekt kreun e qeverisë hungareze se po anon nga politikat e Moskës, pasi Orban refuzoi t’i bashkohej 26 vendeve të tjera anëtare të BE-së për paketën e sanksioneve për gazin dhe naftën, si edhe refuzoi të sanksiononte kryepeshkopin ortodoks të Rusisë, Kirillin e Moskës.