Siç e do tradita, Rita Ora hap petët e byrekut në Tiranë
Rita Ora, ylli i muzikës që jeton në Mbretërinë e Bashkuar, e lindur në Kosovë, dhe Ambasadore e UNICEF UK, vizitoi sot “Shtëpinë e Ngjyrave”, qendrën komunitare në Tiranë, që ofron të gjithë gamën e shërbimeve për fëmijët dhe familjet e tyre, duke përfshirë këtu edhe strehën e emergjencave.
Ajo kaloi kohë me fëmijët duke luajtur, kërcyer dhe pikturuar së bashku. Gjithashtu, siç e do tradita provoi të ndihmonte stafin e kuzhinës për të përgatitur një byrek. Madje në video dëgjon shoqëruesit e këngëtares duke bërë shaka.
“Jam vërtet e nderuar që jam këtu dhe hedh dritë mbi punën e pabesueshme që po bëjnë UNICEF dhe UNICEF në Shqipëri. Më pëlqeu të kaloja kohë me fëmijët frymëzues që takova në Shtëpinë e Ngjyrave. Eksperienca të tilla, ku mund të shoh personalisht se si UNICEF po mbështet fëmijët kudo, theksojnë punën e pabesueshme dhe të paçmueshme që ata po bëjnë”, tha Rita Ora.
Kjo qendër komunitare është kthyer në një pikë referimi për komunitetet dhe autoritetet përkatëse, duke krijuar një sërë praktikash multidisiplinare për integrimin më të mirë të fëmijëve në nevojë që në moshë të re.
