Penelope Cruz në Venecia, konkurron me “L'Immensita" mes 23 filmave në garë
Festivali i Filmit në Venecia mirëpriti aktoren spanjolle Penelope Cruz së bashku me ekipin e filmit "L'Immensita" tw regjisorit Emanuele Crialese. Gjithsej janë 23 filma në garë për “Luanin e Artë”, çmimin kryesor që i jepet filmit më të mirë në ditën e fundit të festivalit prestigjioz.
Aktorja spanjolle Penelope Cruz mbërrin në tapetin e kuq për shfaqjen e filmit "L'Immensita", i cili po prezantohet në konkurrim në Festivalin e 79-të të Filmit në Venecia, e shoqëruar nga regjisori Emanuele Crialese dhe ekipi i filmit që është një dramë familjare e vendosur në Romën e viteve 1970.
Gjithsej në garë janë 23 filma për “Luanin e Artë”, çmimin kryesor që i jepet filmit më të mirë në ditën e fundit të festivalit prestigjioz që po mbahet në Lido të Venecias, dhe që do të zgjasë deri më 10 shtator.
Duke e quajtur këtë edicion një "dritare të hapur në botë", drejtori artistik Alberto Barbera, gjatë prezantimit denoncoi arrestimin e tre kineastëve në Iran në fillim të këtij muaji, akt që ngjalli dënime në të gjithë komunitetin ndërkombëtar të filmit.
Njëri prej tyre, regjisori disident i vlerësuar me çmime, Jafar Panahi, 62 vjeç, do të konkurrojë këtë vit në Venecia me filmin e tij "Arinjtë nuk ekzistojnë", në të cilin ai gjithashtu aktron.
Në tapetin e kuq të këtij viti nuk do të mungojnë yje si Julianne Moore që kryeson jurinë dhe talentet më të mirë Hugh Jackman, Timothee Chalamet, Don Cheadle dhe Colin Farrell, të cilët të gjithë luajnë në filma konkurrues.
Ky vit shënon gjithashtu rikthimin e regjisorit amerikan Aronofsky me "The whale", një dramë psikologjike në të cilën Brendan Fraser luan një shkrimtar obez që kërkon të rilidhet me vajzën e tij të larguar.