Pesë kongresmenë amerikanë vizitojnë Tajvanin, Kina zgjeron stërvitjen rreth Tajvanit

Kina ka shtuar stërvitjet e saj rreth Tajvanit si një përgjigje ndaj vizitës së pesë ligjvënësve amerikanë të cilët mbërritën të dielën në Taipei në mes të konflikteve të ushtrisë kineze me atë tajvanezë.

Të hënën Pekini e ka quajtur vizitën e tyre si shkelje të sovranitetit të Kinës dhe dhunim të integritetit territorial e cila e konsideron Tajvanin si pjesë të saj edhe pse kombi ishullor është vetëqeverisur që prej 1949.

Vizita e 5 kongresmenëve amerikanë vjen 2 javë pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, një vizitë e cila rindezi konfliktin e heshtur mes Kinës dhe Tajvanit.

Menjëherë pas largimit të saj nga ishulli, Kina nisi stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë rreth Tajvanit, të cilat u panë si një parapërgatitje për pushtimin e kombit ishullor.

Delegacioni me pesë anëtarët e kongresit i cili kryesohet nga senatori Ed Markey zhvilloi takim me presidentin e Tajvanit Tsai Ing-wen dhe ministrin e Jashtëm të vendit.

Vizita e tyre sipas ambasadës de facto të Uashingtonit në Taipei do të fokusohet në tregtinë, sigurinë rajonale dhe ndryshimet klimatike.

Ministria e Jashtme e Tajvanit e përshëndeti vizitën si një shenjë tjetër të një miqësie midis Taipeit dhe Uashingtonit "që nuk ka frikë nga kërcënimet dhe frikësimet e Kinës".

Mediet kineze e kanë përshkruar vizitën e kongresmenëve si oportuniste të cilët mendojnë për interesat e tyre politike ndërsa zgjedhjet afatmesme të nëntorit po afrohen.