Tjetër ndryshim në ekipin negociator me BE, Rama zëvendëson Juliana Latifin me Denar Bibën

Pas hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama ka bërë  një tjetër zëvendësim në ekipin negociator me BE.

Largimi i kryenegociatorit Zef Mazi dhe emërimi në vend të tij i Majlinda Dhukës, ka pasuar edhe me largimin e Juliana Latifit, e cila ishte negociatore për kapitullin 5.

Në vend të saj, kryeministri Rama ka emëruar ish-kreun e KQZ-së Denar Biba.

Vendimi i qeverisë është marrë më 29 korrik, ndërsa u publikua në Fletoren Zyrtare të hënën, 8 gusht.

Vendimi

Për disa ndryshime në vendimin nr. 422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar...........

VENDIM Nr. 520, datë 29.7.2022 PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 422, DATË 6.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, RREGULLAT E FUNKSIONIMIT DHE TRAJTIMIN FINANCIAR TË GRUPIT NEGOCIATOR DHE DETYRAT E KRYENEGOCIATORIT PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE TË ADERIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe në vijim të vendimit nr. 749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 1. Në vendimin nr. 422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime: a) Në pikën 1, të kreut I, bëhen këto ndryshime: i. Fjalët “z. Zef Mazi, Kryenegociator;” zëvendësohen me “znj. Majlinda Dhuka, ministër Shteti dhe Kryenegociator (në vijim “Kryenegociatori”)”; ii. Fjalët “znj. Juliana Latifi” zëvendësohen me “z. Denar Biba”. b) Në kreun II bëhen këto ndryshime: i. Në fjalinë e parë, të pikës 1, hiqen fjalët “... barazohet me ministrin e shtetit dhe,”; ii. Në fjalinë e dytë, të shkronjës “k”, të pikës 1, hiqen fjalët “... përmes ministrit përgjegjës për Evropën dhe punët e jashtme ...”; iii. Pika 3 shfuqizohet. c) Në kreun V bëhen këto ndryshime: i. Pika 5 shfuqizohet; ii. Në pikën 7 hiqen fjalët “... Kryenegociatori dhe ...”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit dhe Kryenegociator dhe grupi negociator për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTËR Edi Rama