"Hetimi s'ka qenë i plotë", Komisioneri Publik ankimon vendimin e KPK-së për prokuroren e Vlorës

Komisioneri Publik ankimon në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e  Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Elona Alvora, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Vlorë.

Nga shqyrtimi i vendimit nr. 538/2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, Komisioneri Publik konstaton se procesi i hetimit i kryer nga Komisioni nuk ka qenë i plotë e për rrjedhojë, në gjendjen që janë aktet, nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit është në kushtet për konfirmim në detyrë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik synon hetim të mëtejshëm të kriterit të aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit, pasi përfundimet e Komisionit për këtë kriter kontrolli nuk gjejnë mbështetje të plotë në aktet dhe provat e administruara.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të një hetimi të plotë, të vendosë në mënyrë alternative: ndryshimin e vendimit nr. 538, datë 7.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose lënien në fuqi të këtij vendimi.

Me 7 qershor, Komisioni vendosi unanimisht të konfirmojë në detyrë prokuroren Elona Alvora, ndërkohë që transferoi për inspektim dy çështje penale të verifikuara nga subjekti.

Procesi i vetingut për prokuroren Elona Alvora u krye nga trupa e KPK e kryesuar Panela Qirko, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Xhensila Pine.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar me 31 maj, Alvora u përball me gjetjet për deklarime të kundërta lidhur me vendbanimin, si dhe për zvarritje të hetimeve dhe rrëzimin e vendimmarrjeve të saj nga gjykata.

Elona Alvora përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ku vazhdon ta kryejë detyrën.