Papa në Kiev e Moskë këtë muaj, Ati i Shenjtë shprehu dëshirën të vizitojë Ukrainën dhe Rusinë
Papa Françesku mund të vizitojë Ukrainën gjatë këtij muaji, siç bën me dije ambasadori i Kievit në Vatikan. Ati i Shenjtë kishte thënë më herët se shpresonte të vizitonte edhe Moskën pas vizitës së tij në Kanada.
Papa Françesku pritet të vizitojë Ukrainën gjatë këtij muaji.
Kështu të paktën ka lënë të kuptohet, ambasadori i Ukrainës në Vatikan, Andrij Jurash i cili vizitoi Selinë e Shenjtë në 6 gusht.
Diplomati shkroi në rrjetet sociale se Ukraina do të jetë e lumtur ta presë Papën përpara udhëtimit në Kazakistan.
Edhe pse nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga Vatikani, Papa kishte shprehur dëshirën muajin e kaluar për të vizituar Kievin dhe Moskën pasi të kthehej nga Kanadaja, ndërsa të dy vendet gjenden në një konflikt të armatosur.
Vizita e Atit të Shenjtë në Kazakistan është planifikuar të mbahet në fillim të shtatorit, ndërsa vizita e tij në Kanada përfundoi në fund të qershorit.
Pritet që 85-vjeçari të vizitojë Ukrainën dhe më pas Rusinë, për t’u takuar me presidentët Zelensky dhe Putin gjatë këtij muaji.
Kreu i katolikëve e ka dënuar agresionin në Ukrainë, por megjithatë i ka lënë dyert e hapura edhe për bisedime me Moskën duke u treguar sa më objektiv ndaj presidentit Putin.
Ai vazhdimisht ka bërë thirrje për paqe si dhe ka mbajtur mesha për këtë qëllim dhe pritet ta konkludojë atë edhe me vizitën në dy vendet e konfliktit.

