"Fiket" Spanja, jo Madriti/ Kryeqyteti spanjoll refuzon urdhrin e qeverisë për të kursyer energji

Evropa po përballet me krizë energjetike e rrjedhimisht me masa për kursimin e saj. Në Spanjë ndërsa shkelësit përballen me rreth 30 mijë euro gjobë për shkelje të masave, kryebashkiakja e Madridit u ka bërë thirrje kryeqytetasve që të injorojnë urdhrat qeveritarë.

Kryebashkiakja e Madridit e cila ka refuzuar të zbatojë kufizimet anti-covid gjatë pandemisë është përballur sërish me qeverinë spanjolle.

Udhëheqësja konservatore, Isabel Diaz Ayuso këtë herë ka refuzuar urdhrin e qeverisë së Pedro Sanchez lidhur me kursimin e energjisë elektrike pasi Rusia ndërpreu furnizimin e kontinentit evropian me gaz natyror të lëngshëm.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Ayuso është zotuar se Madridi nuk do të fiket pasi kabineti spanjoll miratoi masat që kërkojnë që dyqanet dhe ndërtesat publike të fikin dritat çdo natë pas orës 22:00.

43-vjeçarja thotë se zbatimi i vendimit të qeverisë do të sillte pasiguri në rajonin më të pasur të Spanjës si dhe do të ndikonte negativisht te turizmi.

Plani i qeverisë spanjolle përfshin kufizimin e temperaturës së kondicionerëve nëpër biznese, muze dhe mjetet e transportit publik, si dhe kufizime në ndriçimin e rrugëve.

Masat u konkluduan pasi Bashkimi Evropian ra dakord në 26 korrik për të ulur përdorimin e gazit me 15% nga gushti në mars për të kursyer për një situatë të pasigurt dhe në mes të kërcënimit të shkurtimeve të furnizimeve nga Rusia.

Masat e qeverisë spanjolle u publikuan të martën në përpjekje për të ulur faturën e energjisë me 7% duke urdhëruar bizneset dhe administratat publike të fikin dritat pas orës 22:00.

Rregullat do të zbatohen gjatë gjithë ditëve të javës deri në nëntor dhe personat që guxojnë të mos e zbatojnë do të përballen me gjoba nga 100 deri në 30 000 euro.

Kjo mesa duket nuk i ka pëlqyer kryebashkiakes konservatore e cila u ka bërë thirrje madrilenëve që të mos i zbatojnë urdhrat e qeverisë, të cilat i quan të njëanshme.

"Kjo nuk do të zbatohet në rajonin e Madridit. Madridi nuk do të fiket. Vendimi duhet të ishte konsultuar me qytetarët dhe administratat si të rritur dhe t’u kërkohej bashkëpunim bazuar në kritere të qarta. Kufizimet shkaktojnë errësirë, varfëri e trishtim," tha ajo.

Ayuso, e cila vjen nga Partia Popullore konservatore i ka mbyllur lidhjet me qeverinë e majtë të Pedro Sanchez duke sfiduar masat anti-covid gjatë pandemisë dhe duke i lënë baret e restorantet të hapura.

E njohur ndryshe si ‘Zonja e Hekurt e Madridit’, Ajuso fitoi zgjedhjet vitin e kaluar për shkak të politikave të saj liberale kur vinte puna te kufizimet e pandemisë.