Kina pas vizitës së Pelosit në Tajvan: SHBA-të do të dënohen!

Ashtu siç kishte paralajmëruar Kina, vizita e Nensi Pelosit në Tajvan ka sjellë shumë tensione mes dy kombeve, ndërsa ushtria kineze ka filluar stërvitjet ushtarake pranë kombit ishullor. Zyrtarja demokrate megjithatë u tha tajvanezëve se ajo po vinte në paqe.

Kina është zotuar së fundmi t’i përgjigjet vizitës së jashtëzakonshme së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan.

Të mërkurën, kryediplomati kinez Wang Yi tha se Pekini do t’i ndëshkojë ata që e ofendojnë Pekinin.

"Kjo është një farsë totale. Shtetet e Bashkuara po shkelin sovranitetin e Pekinit nën maskën e të ashtuquajturës demokraci. Ata që e ofendojnë Kinën do të ndëshkohen," tha ai.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Ndërkohë ushtria kineze ka publikuar pamjet e stërvitjes ushtarake pranë ishullit të Tajvanit në tokë, në det edhe në ajër.

Demokratja Pelosi ndërkohë ka takuar krerët e shtetit të Tajvanit, edhe pse Uashingtoni nuk e njeh pavarësinë e kombit ishullor.

Kryetarja e ligjvënësve amerikanë iu adresua parlamentit paraditen e së mërkurës në mes të kërcënimeve të Pekinit.

Edhe pse vizita e saj shkaktoi pothuajse fillimin e konfliktit të armatosur, zonja Pelosi tha se po vinte në paqe.

"Ne vijmë në paqe dhe miqësisht në Tajvan. Ne duam që të rrisim shkëmbimet parlamentare mes Uashingtonit dhe Taipeit. Tajvani është një nga shoqëritë më të lira në botë. Ne erdhëm këtu për të diskutuar për sigurinë, ekonominë dhe qeverisjen," tha Pelosi.

Pas daljes së saj të shkurtër publike para kamerave, Pelosi dhe anëtarë të tjerë të delegacionit amerikan vazhduan të mbanin një seancë me dyer të mbyllura me zyrtarët tajvanezë.

82-vjeçarja është aktualisht në një turne në rajonin aziatik.

Ajo më herët vizitoi Singaporin dhe Malajzinë dhe pritet të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë edhe në Korenë e Jugut e Japoni. Një ndalesë në Tajvan nuk ishte në itinerarin e saj zyrtar përpara turit.

Kina e quan Tajvanin pjesë të territorit të saj edhe pse kombi ishullor është vetëqeverisur që prej 1949-s.

Pekini pretendon politikën e një Kine duke e llogaritur edhe Tajvanin pjesë të territorit të vet.

Pasi Pelosi u ul në Taipei të martën vonë, Ministria e Jashtme kineze thirri ambasadorin e SHBA, Nicholas Burns për të paraqitur një notë proteste dhe për të paralajmëruar se Uashingtoni  do të paguajë çmimin.

Ndërkohë, Ministria Kineze e Mbrojtjes njoftoi një seri ushtrimesh ushtarake dhe stërvitje në gjashtë zona të mëdha detare dhe hapësirën e tyre ajrore rreth Tajvanit.