Gropa misterioze sa një fushë tenisi në Kili, shkak dyshohet miniera e bakrit

Një gropë e madhe është shfaqur në mënyrë misterioze pranë minierës së bakrit në shkretëtirën kiliane Atacama. Autritetet po hetojnë shkaqet, duke vendosur edhe një perimetër sigurie prej 100 metrash në komunën Tierra Amarilla.

Një gropë e madhe, në përmasat e një fushe tenisi, është shfaqur pranë një miniere bakri në shkretëtirën Atacama, duke krijuar shqetësim për banorët e zonës. Autoritetet kiliane njoftuan se kanë nisur hetimet për shkaqet e gropës 32 metra në diametër dhe 64 metra të thellë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Ekspertët udhëtuan në komunën e Tierra Amarilla, rreth 800 km në veri të Santiagos, ku gropa e madhe u shfaq gjatë fundjavës. Një perimetër sigurie prej 100 metrash u krijua rreth gropës, e cila ndodhet brenda minierës Alcaparrosa de Candelaria, e shfrytëzuar nga kompania kanadeze “Lundin Mining”.

Si masë parandaluese, "puna e zhvillimit është pezulluar përkohësisht në një zonë të minierës nëntokësore ", tha kompania, duke shtuar se nuk është zbuluar asnjë lëvizje.

Specialistët dhe personeli i minierave kërkojnë të "sqarojnë shkaqet dhe të garantojnë që të gjitha masat e sigurisë janë marrë për të mbrojtur jetën e punëtorëve dhe komuniteteve pranë zonës," tha David Montenegro, përfaqësues I kompanisë. Ai shtoi se profesionistët vizituan zonën "për të parë nëse ka të çara dhe hynë në minierë për të parë gjendjen e saj reale".

Cristian Zúñiga, kryebashkiak i Tierra Amarilla, shpjegoi për mediat lokale se banorët kanë pasur gjithmonë frikë nga incidentet për shkak të operacioneve të minierave në zonë.

"Kjo gropë e madhe është diçka që nuk ishte parë në komunitetin tonë. Ne kërkojmë që të sqarohet pse ka ndodhur kjo ngjarje, nëse shembja është produkt i aktivitetit minerar apo është i një natyre tjetër," tha ai.

Kujtojmë se Kili është prodhuesi kryesor në botë i bakrit, përgjegjës për më shumë se 25% të furnizimit global.