Sulmet me raketa në Ukrainë, 20 viktima vetëm sot

Raketat ruse që goditën të enjten një qytet në Ukrainën qendrore vranë të paktën 20 persona dhe plagosën rreth 90 të tjerë, sipas autoriteteve ukrainase. Presidenti ukrainas e quajti sulmin "një akt të hapur terrorizmi" kundër civilëve në zona pa asnjë vlerë ushtarake.

KETU LAJMET MIUNUTE PAS MINUTE

Policia kombëtare e Ukrainës tha se tre raketa goditën një godinë zyrash në Vinnytsia, e cila ndodhet 268 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit, dhe dëmtuan ndërtesat e banimit aty pranë.

Një nëndetëse ruse në Detin e Zi lëshoi raketa të tipit Kalibr në qytet, ndërsa tre fëmijë ishin në mesin e viktimave, shkroi nënkryetari i zyrës presidenciale të Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko, në rrjetin social Telegram. Ushtria ruse nuk e ka konfirmuar sulmin.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmi kishte për qëllimobjektiva civile. Sulmi ndodhi ndërsa zyrtarë qeveritarë nga rreth 40 vende u takuan në Hagë për të diskutuar koordinimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale të krimeve të mundshme të luftës të kryera në Ukrainë.

“Rusia çdo ditë po shkatërron popullsinë civile, po vret fëmijë ukrainas, po drejton raketa në objekte civile. Aty ku nuk ka ushtarakë (shënjestra). Çfarë është nëse jo një akt i hapur terrorizmi?, u shpreh Zelensky në Telegram.

Vinnytsia është një nga qytetet më të mëdha të Ukrainës, me një popullsi prej 370,000 qytetarë. Mijëra njerëz nga Ukraina lindore, atje ku Rusia ka përqendruar ofensivën e saj, janë zhvendosur atje që nga fillimi i luftës.

Raketat shkaktuan një zjarr që u përhap duke përfshirë 50 makina në një parking ngjitur, thanë zyrtarët ukrainas. Guvernatori i rajonit Vinnytsia, Serhiy Borzov, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase rrëzuan katër raketa të tjera mbi atë zonë.