Loja me shitjen e kompanive të incineratorëve, u krijuan thuajse në të njëjtën kohë, pronarë u bënë pensionistët
Kompanitë e përfshira, sipas LSI, në faturat fiktive me incineratorëve rezulton të jenë krijuar thuajse në të njëjtën kohë. Madje shpesh emrat e pronarëve që kanë shitur dhe blerë aksione rezultojnë të jenë të njëjtë në disa kompani dhe pas ndryshime në disa raste kanë pezulluar aktivitetin. Por ndërsa akuzohen për përfitimin e miliona eurove, disa prej tyre kanë dhe detyrime të papaguara në Tatime.
Janë 20 milionë euro që 13 kompani të ndryshme kanë marrë nga incineratorët, por që sipas LSI rezultojnë të kenë vepruar me fatura fiktive dhe me evazion fiskal.
Madje siç edhe shikohet në këtë shkresë, vetë krimi ekonomik në policinë e Tiranës ka pasur dijeni për një prej rasteve, por se asgjë nuk është bërë publike që në marrjen në pyetje në vitin 2020.
Por në dokumentet zyrtare shihet se një pjesë e subjekteve janë me statusin pezulluar, në të paktën 5 raste.
Subjektet po ashtu janë krijuar kryesisht në vitet 2015- 2017, ndërsa vihet re dhe një shitblerje e shpeshtë e aksioneve, ashtu si dhe në rastin e "Lumi 6" dhe "Sopotania".
Kështu kompania "Elvis 03" është themeluar në vitin 2016.
Një vit më pas Dashamir Ymeraj ja shet kompaninë Shkëlqim Metës, duke u rikthyer sërish në vitin 2019, por pas pak muajsh kuotat kalojnë tek Meta.
Ky i fundit do t'ia shiste edhe aksionet e tij shtetasit Vezir Brahaj, në atë kohë 68 vjeçar.
Ndërkaq tatimorët ndaj subjektit kanë vendosur masë sigurie për shkak të mospagesës së detyrimeve.
E njëjta situatë shfaqet dhe në kompaninë "Elvis CO" ku shtetasi Eneidi Zeqo ia shet kompaninë Dashamir Ymeraj dhe ky i fundit në vitin 2020 ia shet aksionet Ruzhdie Metajt, e cila në atë kohë ishte 63-vjeçare.
Por edhe në këtë rast ka vendim mase prej Tatimeve. Në total këto kompani sipas LSI kanë marrë rreth 550 milionë lekë, ose mbi 4.8 milionë euro.
Për kompaninë "Alfa Pauer Group" e krijuar në vitin 2015, themeluesi Urim Beshiri ja ka dhuruar aksionet Adriatik Hajdinit.
Sipas LSI, subjekti ka faturuar 395 milionë lekë, por në QKB rezulton me statusin e pezulluar prej vitit 2017.
Ndërkaq kompanitë "AM CO & CO" dhe "PM A Compani" kanë si ortak Arben Përlalën, dhe sipas LSI kanë qarkulluar mbi 1 milion euro dhe te dyja të themeluara në vitin 2015.
Sa i përket kompanisë "AA 117" me aksionere Drita Frangaj e themeluar në mars të vitit 2017 dhe vetëm dy vite më pas rezulton me statusin e pezulluar, por që me incineratorët sipas LSI ka 117 milion lekë fatura.
E njëjta panoramë është edhe në kompaninë "AL-BER CO&CO". E krijuar në nëntor të vitit 2015, shet aksionet një vit më pas dhe në vitin 2019 kalojnë në statusin pezulluar, teksa shuma e faturuar me incineratorët sipas LSI shkon në 109 milionë lekë.
Deri më tani janë katër prej aksionerëve që deklarojnë se janë pensionistë dhe nuk kanë të ardhura, duke mohuar të jenë pronarë kompanish.

