Opozita maqedonase i thotë jo BE-së, VMRO-DPMNE: Nuk na duhet Evropa nëse asimilohemi

Protesta e paralajmëruar për të kundërshtuar propozimin francez në Maqedoninë e Veriut ka hedhur poshtë bisedimet me qeverinë e Kovaçevskit. Lideri i opozitës është shprehur se propozimi i Parisit është në dëm të identitetit maqedonas.

Partia më e madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut ka hedhur poshtë propozimin francez i cili do të zgjidhte përfundimisht mosmarrëveshjet me Bullgarinë fqinje dhe kjo e fundit të hiqte veton për t’i hapur rrugën integrimit të Shkupit dhe rrjedhimisht edhe Shqipërisë.

Përmes një tubimi përpara godinës qeveritare, lideri i partisë konservatore VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski e ka quajtur propozimin e bërë nga Franca si të dëmshëm për identitetin maqedonas.

Mickoski: Populli po zgjohet dhe të gjithë ata që duan t'i japin fund Maqedonisë duke nënshkruar marrëveshje brenda një apo dy ditëve do të mbahen mend nga qytetarët maqedonas. Nuk na duhet Evropa nëse duhet të asimilohemi. Nuk dua të jem në Evropë sepse kam të drejtë të jem maqedonas, të kem identitetin dhe kulturën time. Propozimi francez është i dëmshëm për identitetin tonë.

Nën moton ‘Ultimatum-Jo faleminderit!’, opozita kërkon nga qeveria e Kovaçevskit që të refuzojë propozimin e bërë nga presidenca e kaluar e Këshillit Evropian, Franca.

Paraprakisht, ministri maqedonas i Punëve të Jashtme deklaroi se propozimi i modifikuar francez e zgjidh problemin e çështje maqedonase.

Por megjithatë kryediplomati e pranoi se Sofja mund të kishte të drejtën për ta vlerësuar maqedonishten sipas pretendimeve të veta, pra si një dialekt të bullgarishtes, megjithëse BE-ja do ta njihte si gjuhë autentike të unionit.

Sipas kryediplomatit Osmani, propozimi mund të kalojë vetëm me vendim të Qeverisë pa pasur nevojë për vendi nga Parlamenti, siç kishte deklaruar më parë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.