Ukraina ‘dorëzon’ Mariopulin
Mbi 260 ushtarë ukrainas të plagosur janë evakuuar nga fabrika famëkeqe e Azovstalit në Mariopul.
Vendimi është marrë pas një marrëveshjeje mes Kievit e Moskës në fshehtësi, ndërsa në operacion kanë asistuar edhe OKB, si edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.
Mësohet se 53 ushtarë gjenden në spitalin e Novoazovskut, ndërsa 211 të tjerë janë në Jelenovka, të dy qytete të kontrolluara nga e ashtuquajtura Republikë Popullore e Donjeckut, e cila kontrollohet nga rusët.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kievi tha se luftëtarët që gjendeshin në uzinën e çelikut, kanë përfunduar me sukses misionin e tyre duke mos lejuar trupat ruse që të kapin qytetin e Zaporizhias apo të hedhin në erë teatro të tjerë.
Presidenti Zelenski është zotuar që t’i rikthejë ata të gjallë pranë territoreve të kontrolluara nga ukrainasit, megjithëse operacioni do të ishte tepër delikat.
"Falë veprimeve të Forcave të Armatosura të Ukrainës, inteligjencës, si dhe grupit negociator, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe OKB-së, ne kemi shpresë se do të jemi në gjendje të shpëtojmë jetën e djemve tanë. Dua të theksoj se Ukrainës i duhen të gjallë heronjtë ukrainas. Ky është parimi ynë. Puna për të kthyer ushtrinë tonë në shtëpi po vazhdon dhe ajo kërkon delikatesë dhe kohë", ka thënë ai.
Rusia pretendon se rreth 2200 persona janë të bllokuar në bodrumet e kompleksit gjigant Azovstal. Sipërfaqja e fabrikës është rreth 11 kilometra katrorë.
Kur ushtari i fundit ukrainas të largohet nga Azovstal, Rusia do të marrë në kontroll të plotë qytetin strategjik të Mariopulit.