Kosova një hap më pranë BE-së

Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.

Tashmë, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla pritet të zhvillojë procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Mundësia e pranimit të Kosovës në këtë organizatë është reale, pasi Rusia u përjashtua nga Këshilli në 16 mars për shkak të agresionit në Ukrainë.

Të paktën 2/3 e vendeve anëtare, do të mjaftonin që Prishtina të anëtarësohet në organizatë dhe pas pezullimit të Moskës shanset janë konkrete.

Lajmi për anëtarësimin e Kosovës në organizatën evropiane për të Drejtat e Njeriut irritoi Serbinë që mbrëmjen e së mërkurës kur lideri serb gjendej në Bruksel ku u takua bashkë me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor me shefin e diplomacisë së unionit evropian, Zhosep Borrej.

Presidenti Vuçiç u zotua të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilën njoftoi se do të bënte çmos të ndalte perspektivën evropiane të Prishtinës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Edhe pse nuk është një institucion në varësi të atyre të Bashkimit Evropian, të gjitha vendet anëtare aktuale janë anëtarësuar fillimisht në Këshillin e Evropës.