BE legjitimon ndalimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e zgjedhjeve serbe në vend nuk do të cenojë rrugën drejt integrimit ka bërë me dije Komisioni Evropian, një deklaratë krejt e ndryshme nga ajo e vendeve të Quintit.
Mbështetja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë, pavarësisht refuzimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë më 3 prill.
Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero duke shprehur edhe keqardhje që nuk është gjetur një konsensus për mbajtjen e tyre në territorin e Kosovës.
Pisonero: Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. Bashkimi Evropian vijon të mbështesë Prishtinën duke filluar që me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Rruga evropiane e Kosovës varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Neve na vjen keq që nuk është gjetur një konsensus ndërmjet palëve pas vendimit të Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga vendet e QUINT-it.
Disa ditë më parë, SHBA-të, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania ose e thënë ndryshe vendet e Quint-it e quajtën vendimin e qeverisë së Kosovës në kundërshtim me angazhimet e saj për të ardhmen evropiane dhe parimet e mbrojtjes së të drejtave të pakicave etnike.
Serbia të dielën mban zgjedhjet e përgjithshme, presidenciale, parlamentar e lokale në të cilat mbi 6 milionë persona do t’u drejtohen kutive të votimit.
Presidenti Aleksandar Vuçiç pretendon të marrë një mandat të dytë me Partinë e tij Progresiste Serbe, nga e cila ka thënë se do të dorëhiqet pas zgjedhjeve.
