Presidenti Zelensky: Të gjithë jemi ende në Kiev. Shpërndahen mbi 20 mijë armë


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka publikuar një video nga rrugët e Kievit pas thashethemeve në mediat ruse se ai ishte larguar nga kryeqyteti.

"Ne jemi të gjithë këtu," tha ai, i rrethuar nga këshilltarët kryesorë dhe kryeministri i tij.

"Ne po mbrojmë pavarësinë tonë, shtetin tonë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë."

Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, sot në një intervistë ekskluzive për Ora News me gazetarin Arnold Kariqi, thotë se çështja kryesore tashmë për Ukrainën është gjetja e armatimit shtesë. 

Shkurov: Nëse dje një nga vendet kryesore e luftimeve ka qenë Donbasi sot është kryeqyteti, Kievi. U shpërndanë 20 mijë armë dhe nuk është e mjaftueshme. Njerëzit po armatosen dhe vetë. Janë bërë radhë të mëdha pranë komisariateve ushtarake. Situata po përkeqësohet. Gjetja e armatimit shtesë është çështja aktuale.

Ukrainasit bëhen gati për sulmin rus në Kiev

Kievi po përgatitet për një sulm rus më 25 shkurt, teksa forcat pushtuese kanë arritur në periferi të kryeqytetit ukrainas. Ministria ukrainase e Mbrojtjes u tha banorëve që të bëjnë koktej molotovi me benzinë dhe të ndihmojnë ushtrinë që të “normalizojë” sulmuesit rusë.

Të shtëna janë raportuar pranë qarkut ku gjendet Qeveria në Kiev, teksa trupat ruse po godasin kryeqytetin ukrainas. Serenatat janë lëshuar në Kiev, qytet me tre milionë banorë, shumica prej të cilëve po strehohen në stacionet e metrosë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy tha se trupat ruse po shënjestrojnë zona të banuara me civilë, teksa ata po avancojnë me trupa dhe tanke nga tri drejtime.

Po ashtu ka raportime për luftime të vazhdueshme midis forcave ukrainase dhe ruse në qarkun verior Obolon të kryeqytetit.

Forcat ukrainase, ndërkaq, janë dislokuar në Kiev me pajisje të rënda ushtarake për ta mbrojtur kryeqytetin.

“Qyteti është në gjendje mbrojtjeje”, tha kryetari i Kievit, Vitali Klitchko, sipas agjencisë së lajmeve UNIAN. Ai tha se të shtënat me armë dhe shpërthime në disa zona të qytetit, nënkuptojnë se “sabotuesit” rusë po eliminohen.