Djegia e tragetit, vazhdon beteja me kohën për të gjetur 12 të zhdukurit

Vazhdojnë për të dytën ditë kërkimet në anijen “Euroferry Olympia”, e cila u përfshi nga zjarri në orët e para të së premtes së datës 18 shkurt teksa po lundronte nga Igumenica për në Brindizi të Italisë. 

Flakët u shfaqën në kuvertën e tretë. Vatra e zjarrit vijon të jetë ende aktive në traget.

Me zbardhjen e dritës ekipet e kërkim-shpëtimit u hodhën sërish në betejë, për të lokalizuar sa më parë 12 pasagjerët e zhdukur. 

Mes të zhdukurve janë edhe tre grekë, nga Athina dhe Kreta.

Fillimisht, informacioni ishte për 11 persona të zhdukur, por më vonë u shtua një tjetër, pasi në orët e vona të natës u konstatua se një nga të shpëtuarit nga garazhi i anijes nuk ishte përfshirë në listën e pasagjerëve. 

Informacionet për numrin e saktë të personave të zhdukur kanë mbetur të paqarta deri në orët e vona të natës, pasi vlerësohet se mes pasagjerëve ka pasur edhe ilegalë. Deri më tani janë gjetur dhe shpëtuar dy.

Përpjekjet për shuarjen e tragetit të djegur vazhduan gjatë gjithë natës nga tre rimorkiatorë dhe zjarrfikëse në një traget pasagjerësh.

Pritej gjithashtu një mjet zjarrfikës lundrues, si dhe një tërheqje me kapacitet të shtuar zjarri.

Dy ekipet e shpëtimit ajror dhe katër zjarrfikësit e tjerë që kishin arritur të hipnin në anije, të premten vonë pasdite, u larguan, pasi sipas burimeve nga Roja Bregdetare, ngarkesat termike në anije janë të ngritura - duke arritur në 600 gradë - dhe errësira së bashku me tymin e dendur, ua vështirësuan edhe më shumë detyrën.

Deri më tani janë shpëtuar 278 persona. 

Shërbimi i Hetimit të Aksidenteve dhe Incidenteve Detare greke ndodhet në vendngjarje, për të nisur procedurat për zbardhjen e aksidentit.

Tre zjarrfikës në spitalin e Korfuzit

Tre zjarrfikës që morën pjesë në operacionin për shuarjen e zjarrit të premten në tragetin Euroferry Olympia, janë transportuar në spitalin e Korfuzit.

Zjarrëfikësit shpëtuan dy drejtuesit e mjeteve të bllokuar në garazh, por ata thithën mjaft tym dhe u pa e udhës që të dërgoheshin në spital.

Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore, por mjekët duan t'i monitorojnë për të shmangur çdo rrezik.

Ekipi i specializuar i shpëtimtarëve në bord

Një ekip i specializuar i Shërbimit Grek të Aksidenteve Detare po kontribuon në operacionin e shpëtimit sot, e shtunë 19 shkurt.

Kur zjarri të shuhet, anija do të tërhiqet në një vend të sigurt për të pompuar karburant.

“Që në momentin e parë ka pasur një operacion të drejtpërdrejtë dhe gjigant nëpërmjet Rojes Bregdetare, Forcave Ajrore, Marinës, si rezultat i të cilit janë shpëtuar 280 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit dhe janë transportuar të sigurt në Korfuz. Aktualisht po vijojnë hetimet për gjetjen e 12 të zhdukurve. Mes tyre janë edhe 3 grekë, me familjet e të cilëve jemi në kontakt të vazhdueshëm. Pranë tyre është edhe një psikolog specialist i Rojes Bregdetare”, tha në lidhje me këtë ministri i Transportit.