Ceremonia për 14-vjetorin e Kosovës, njerëzit e bashkuar, politika e përçarë. Opozita bojkoton Kurtin
Kosova ka festuar 14-vjetorin e krijimit të shtetit, ku nuk kanë munguar paradat ushtarake dhe festimet e qytetarëve, por as ndasitë në partitë politike. Deputetët e opozitës kanë braktisur sallën e Kuvendit, ndërsa po fliste kryeministri Kurti në seancën solemne të pavarësisë.
Qytetarët e Kosovës dhe krerët e shtetit kanë marrë pjesë në paradën ushtarake të Forcave të Sigurisë dhe Policisë së vendit me rastin e 14-vjetorit të Pavarësisë.
Parakalimet e ushtarakëve u bënë në Sheshin ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë.
Më herët u mbajt edhe seanca solemne me rastin e Pavarësisë së Kosovës.
Presidentja Osmani theksoi se procesi i dialogut me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke.
"Procesi i dialogut me Serbinë natyrisht që do të përfundojë me njohjen reciproke, siç e përsëriti dhe Presidenti Biden në urimin për 14-vjetorin e Pavarësisë," tha Osmani.
Ndërsa kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se nuk asnjë gjykatë që mund të shtrembërojë të vërtetat e luftës së Kosovës për liri, duke iu referuar Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit të cilët ndodhen në paraburgimin e Hagës.
"Asnjë Gjykatë në botë nuk mund ta shtrembërojë ose ta ndryshojë këtë të vërtetë, që është e vërteta e jetës sonë," tha Konjufca.
Fjalën e mori edhe kryeministri Kurti, i cili nuk ngurroi që të shpaloste arritjet e qeverisë së tij. Por kjo nuk kishte negocimin e opozitës, të cilët lanë sallën ndërsa ai po fliste.
"Në këtë vit të 14-të të Pavarësisë tonë, le të zotohemi se në veprimet tona do të udhëhiqemi nga amaneti i dëshmorëve dhe nga ëndrrat e fëmijëve," tha Kurti.
Kurti, Osmani dhe Konjufca vunë kurora me lule edhe te varri i komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari në Prekaz, si edhe te ai i ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
