Kosova 14 vjet shtet, firmëtarët në Hagë
Kosova sot feston 14-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në 17 shkurt 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë.
Këtë vit monumenti i Pavarësisë, NEWBORN u dedikohet grave të cilat kanë qenë të suksesshme në fusha të ndryshme, si dhe atyre që kanë qenë viktima të dhunës.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u lexua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe Presidenti i Kosovës.
Nga ai moment, Kosova u shpall e pavarur, duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore brenda Ballkanit Perëndimor.
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 109 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit. 11 deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit.
Sot në 14-vjetorin e Pavarësisë, ish-kryeministri Thaçi dhe ish-kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi ndodhen në paraburgim.
Në vitin 2020 Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Më herët edhe kreu i AAK-së dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj u akuzua për krime lufte dy herë me radhë nga Prokuroria e Hagës për të cilat u shpall i pafajshëm.
Sot 14 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën.
Retorika që ajo përdor mbetet e njëjtë, megjithëse shpresat e dëshpëruara për aneksimin e vendit janë në rënie.
Kosova aktualisht njihet nga 116 shtete nga 193 vende anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.