Tensione në kufirin gjermano-polak, emigrantët irakianë përleshen me policinë e Polonisë

Të paktën 21 emigrantë irakianë janë arrestuar në kufirin mes Polonisë dhe Gjermanisë, pasi u përleshën me policinë polake në përpjekje për të ndaluar kriminalizimin e migracionit.

Disa migrantë irakianë janë përleshur me policinë polake pranë kufirit të Polonisë me Gjermaninë.

Protesta për të drejtat e emigrantëve në Poloninë perëndimore, e cila fillimisht ishte paqësore përfundoi në dhunë dhe përleshje me policinë.

Rreth 100 persona u mblodhën jashtë një qendre paraburgimi të imigracionit në Krosno Odrzanskie.

Autoritetet e policisë rajonale thanë se 11 persona u arrestuan për sulme ndaj oficerëve, ndërsa 21 të tjerë janë arrestuar për mosbindje ndaj urdhrit të policisë.

Policia tha ndër të tjera se një nga të arrestuarit ishte një shtetas gjerman.

Grupi që qëndron pas protestave ‘Skuadra pa kufij’ shkroi në rrjetet sociale në fillim të këtij muaji se aktivistët kërkojnë ndalimin e kriminalizimit të migracionit në Poloni.

Ata kërkojnë ndër të tjera ndalimin e dëbimeve dhe mbylljen e qendrave të paraburgimit për migrantët.

Protesta u mbajt pasi azilkërkuesit, kryesisht irakianë, shpallën një grevë urie në një qendër paraburgimi.

Trazirat shpërthyen në mes të muajit nëntor, kur disa emigrantë u përpoqën të arratiseshin. Sipas medieve lokale mbi 1500 persona janë duke u mbajtur nëpër kampe.

Kriza e emigrantëve shpërtheu vitin e kaluar pasi qindra emigrantë nga Lindja e Mesme u vendosën në kufirin polako-bjellorus me shpresën për të kaluar në Bashkimin Evropian.