Sinjalet e nisjes së luftës, Biden në telefon me Putinin: Gati të kundërpërgjigjemi ushtarakisht
Dy presidentët, Biden dhe Putin komunikuan përmes telefonit në përpjekje për të gjetur një zgjidhje lidhur me tensionet në Ukrainë, e cila nuk ka rezultuar shumë efektive, pasi nuk ka ndryshuar asgjë në marrëdhënien e Moskës me perëndimin.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka paralajmëruar presidentin rus Vladimir Putin lidhur me pushtimin e Ukrainës.
Biden i tha Putinit se Rusia do të shkaktonte vuajte të mëdha te njerëzit si edhe pozita e Moskës do të zvogëlohej nëpër botë.
Shtëpia e Bardhë e dha këtë njoftim pas bisedës telefonike që zhvilluan dy presidentët.
Biden përsëriti se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të përgjigjeshin me vendosmëri nëse Rusia pushton.
Biden shtoi se vendet perëndimore ishin të gatshme për t’u angazhuar në diplomaci, por gjithashtu edhe të përgatitur për skenarë të tjerë, duke iu referuar një kundërpërgjigjeje luftarake.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se telefonata, e cila zgjati rreth 1 orë nuk shkaktoi ndonjë ndryshim në tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës.
Prej muajsh, Rusia ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa në kufijtë ukrainas, por ka përjashtuar vazhdimisht idenë e pushtimit.
Sipas Rusisë, NATO është ajo që paraqet kërcënim për sigurinë e saj.
Moska ka kërkuar garanci nga NATO se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes dhe se nuk do të pranojë në radhët e saj vendet ish-sovjetike, përfshirë Ukrainën.
SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar kërkesat ruse për zgjerimin, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës.
Sipas Kremlinit, Putin i tha Biden se përgjigjja e SHBA-së ndaj kërkesave ruse për sigurinë, nuk ka marrë parasysh shqetësimet e Moskës, andaj ajo do të përgjigjet së shpejti.
