Maqedoni e Veriut, nga 1 shkurti nxënësit kthehen në shkolla

Mësimi në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë me prezencë fizike të nxënësve më 1 shkurt. Vendimi i mor nga qeveria në mbledhjen e të mërkurës, 26 janar.

"Vendimi është marrë në bazë të mendimit të Komisionit për Sëmundje Infektive dhe në përputhje me rekomandimet e UNICEF-it, ndërsa Qeveria bën thirrje për respektim dhe zbatim të vazhdueshëm të protokolleve për mësimdhënie me prezencë fizike", thuhet në njoftimin për media të qeverisë.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të zgjerojë dhe riorganizojë kapacitetet spitalore në vend për trajtimin e pacientëve të shtruar me Covid-19, pas rritjeve të rasteve ditët e fundit me mbi 2000 infeksione në ditë.

Njëkohësisht, me vendim të Qeverisë, nga mbrëmë është reduktuar periudha e izolimit apo karantinës për shkak të Covid-19 për rastet asimptomatike dhe për personat që kanë qenë në kontakt me person të infektuar.