Rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, Shahini: 50% e rrogës së qytetarëve do shkojë për faturat

Propozimi për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike nga Zyra për Energji në Kosovë ka shkaktuar shqetësime të qytetarët, të cilët ditën e djeshme u ngritën në protestë.

Në lidhje me këtë temë, kryetari i Aleancës kosovare për bizneset, Agim Shahini, thotë në emisionin "Ditë e Re" në RTV Ora, se me rritjen e çmimit ë tarifave 50% e rrogës së qytetarëve do të shkojë për pagesën e faturës në fund të muajit.

Sipas tij qytetarët që deri më tani paguanin 58 euro në muaj për energji elektrike, duke filluar nga muaji i ardhshëm do paguajnë 109 euro.

Agim Shahini: 50% e pagës në Kosovë do shkojë për pagesë të faturës në fund të muajit. Një faturë e cila deri më sot është paguar 58 euro në muajin e ardhshëm do paguhet 109 euro. Paga minimale në Kosovë është 170 euro. Dhe për ata që marrin pagën minimale fatura  është më shumë se 50% e rrogës. Prandaj kemi diskutuar edhe rritjen e pagës minimale me qeverinë. Këto çmime janë të pa përballueshme.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë i  ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D, E, duke shoejguar me detaje se sa preken qytetarët nga rritja e çmimit në varësi të energjisë që  konsumojnë çdo muaj.

Nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.

Nëse jeni në kategorinë C, që do të thotë se për një muaj shpenzoni 600 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 35.86 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 38.92 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj mbetet e njëjtë: 35.86 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro.

Siç shpjegohet në Raportin Konsultativ të ZRRE-së për Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të Tarifave të Energjisë Elektrike, rritja prek vetëm dy kategori të amvisërive, D dhe E, përkatësisht ata qytetarë që shpenzojnë mbi 800, përkatësisht mbi 1000 kilovatë.