Djali 22 muajsh porosit mobilie me vlerë 1800 dollarë për shtëpinë përmes telefonit të nënës

Madhu Kumar u surprizua kur disa mobilie të cilat thjesht i kishte parë në internet, por nuk i kishte porositur filluan të vinin në shtëpinë e saj në New Jersey javën e kaluar.

Çdo ditë ajo surprizohej nga një pako e re, lule, sende shtëpiake dhe kolltuk pas kolltuku.

“Personi i parë erdhi me kutinë dhe e vendosi pranë derës”, tha Kumar për News 12 .

Më pas mbërriti një person tjetër, pastaj një tjetër. Së shpejti, kutitë kafe mbuluan shkallët e përparme të familjes. Megjithatë, një e-mail i mbërritur e informonte se më shumë dërgesa të tjera ishin rrugës.

Të gjitha pakot ishin një mister.

Megjithëse ajo i kishte ngarkuar artikujt në karrocën e saj të blerjeve në internet ndërsa shfletonte për shtëpinë e re të familjes në Monmouth Junction, Kumar e dinte që nuk kishte blerë asnjë prej tyre. Ajo pyeti dhe bashkëshortin e saj Pramod, i cili i tha se as ai nuk e kishte bërë.

Zgjidhet misteri

Ayaansh Kumar, vetëm 22 muajsh, djali i vogël i familjes, mori telefonin, vetëm pak çaste pasi ajo kishte ruajtur një numër të madh artikujsh në një faqe interneti të njohur për blerje. Ai bleu të gjitha mobiliet që ishin në shportë të cilat kushtonin 1800 dollarë.

Kur Kumarët kuptuan se çfarë kishte ndodhur, ata u përpoqën të anulonin porositë e mbetura, por ishte shumë vonë, shkruan The Washington Post.

"Ai thjesht shkoi në karrocë dhe çfarëdo që ishte atje - bum - ai thjesht klikoi dhe të gjitha pagesat sapo kaluan," tha Pramod Kumar për News 12, duke thënë më vonë për WNBC "Është vërtet e vështirë të besohet se ai e ka bërë këtë, por kjo është çfarë ndodhi."