Fluturimet në aeroportin e Stambollit shtyhen deri në orën 13.00 për shkak të reshjeve të borës

Për shkak të reshjeve të borës në Stamboll, të cilat kanë shtuar intensitetin që prej mbrëmjes së djeshme, uljet dhe ngritjet e avionëve në aeroportin e Stambollit janë shtyrë deri në orën 13.00 të ditës së sotme, 25 janar.
16 avionë të Turkish Airlines u devijuan drejt aeroporteve të tjera. Mes avionëve të bllokuar është edhe ai i Air Albania, që fluturon drejt Tiranës.
Pasagjerët që nuk mund të dalin nga aeroporti për shkak të mbylljes së rrugëve për në aeroport e kaluan natën duke fjetur në stolat e terminalit dhe në hapësirat boshe që gjejnë.
Një nga pasagjerët deklaroi se do të udhëtonte drejt Brukselit të Belgjikës, por fluturimi u anulua për shkak të motit të keq.
"Kam qëndruar një javë në Stamboll. Erdha të marr avionin. Jam në aeroport që në orën 12:00 të mesditës.Si fillim na thanë se ka vonesa pastaj mësuam me email se fluturimi ishte anuluar. Na thanë se do të sistemoheshim në hotel por u bllokuam në aeroport për shkak të borës."
