Amerikanët kundër masave anti-Covi/ Mijëra protestues në marshim paqësor

Mijëra amerikanë protestuan në kryeqytetin e SHBA-ve, Uashington DC kundër mandateve të vaksinave dhe atyre të maskave.

Tubimi ishte paqësor, ku mijëra persona marshuan nga Monumenti i Xhorxh Uashington deri në Memorialin e Abraham Linkolnit.

Nëpër banderola shkruheshin shkrime pro jetës dhe kundër vaksinave me detyrim.

Një çift bashkëshortësh Amanda dhe Jeb Dougherty, prindër të tre fëmijëve shprehen të shqetësuar nga vaksinimi me detyrim dhe mos transparenca lidhur me rreziqet e vaksinave.

"Ne kemi 3 fëmijë dhe nuk ndihemi mirë nga injektimi i vaksinave me terapi eksperimentale. Ato nuk janë testuar, njësoj si vaksinat normale që ne kemi bërë. Ka të bëjë me vaksinimin me detyrim që nuk shkon me rregullat normale. Ka shumë prova të cilat janë dokumentuar, por nuk janë bërë publike, që njerëzit të vendosin nëse rreziqet nga vaksinat janë më të mëdha se përfitimet, apo jo."

Një protestues nga Nju Jorku, Roger Miller shprehet se ai i mbështet vaksinat, por jo ato që nuk janë studiuar siç është ajo kundër koronavirusit.

"Unë nuk jam kundër vaksinave të cilat janë studiuar dhe që funksionojnë. Por ato që nuk janë studiuar nuk mund të injektohen në trup, veçanërisht nëse jeni të rinj dhe të shëndetshëm. Nëse je i vjetër dhe ke komplikacione, është zgjedhja jote. Jemi në moshën që mund të marrim vendime, duhet të zgjedhim vetë, askush nuk duhet të detyrohet."

Një protestues tjetër, Jon Kopel ka lëshuar akuza të forta kundër miliarderit Bill Gates dhe shefit të sëmundjeve infektive në SHBA, Antony Fauci.

Ai thotë se kjo që po ndodh është një agjendë për uljen e numrit të popullsisë.

"Unë kam imunitet natyral dhe kurrë nuk do ta marr vaksinën. Fakti është që miliona njerëz kanë vdekur nga vaksinat. Prej kohësh ekziston një agjendë e vjetër e planifikuar për të ulur numrin e popullsisë së botës, e orkestruar nga Bill Gates dhe Antony Fauci."

Në SHBA rreth 70% e popullsisë është e vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave anti-covid edhe pse vendi ka shënuar rekorde të frikshme gjatë javës që lamë pas.