Rusia: Kërcënimet e Amerikës tensionojnë situatën

Kremlini tha të enjten se paralajmërimi i presidentit amerikan Joe Biden për pasoja katastrofike për Rusinë në rast se ajo pushton Ukrainën nuk ndihmojnë në uljen e tensioneve, madje ato e destabilizojnë më tej situatën.

Deklaratat e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitri Peskov vijnë pas parashikimit të Biden, i cili deklaroi se Rusia do ta pushtonte Ukrainën. 

Petkov tha se prej 1 muaji, Rusia është përballur me kërcënime nga Perëndimi nëse pushton Ukrainën, por ato nuk shërbejnë për zbutjen e tensioneve.

Petkov: Ne besojmë se kërcënimet e perëndimit në asnjë mënyrë nuk kontribuojnë në zbutjen e tensioneve, por më tepër mund të kontribuojnë në destabilizimin e situatës.

Peskov tha se Moska kishte frikë se kërcënimet me sanksione nga SHBA-të mund ta inkurajonin Kievin të përpiqej të zgjidhte me forcë konfliktin tetë-vjeçar me separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore.

Të premten, pritet që sekretari amerikan i Shtetit, Blinken dhe homologu i tij rus, Sergej Lavrov të takohen në Gjenevë lidhur me situatën e tensionuar në Ukrainë.