Rusia ‘rrethon’ Ukrainën/ Mijëra trupa ruse janë dërguar në Bjellorusi për stërvitje

Rusia ka dërguar mijëra trupa pranë veriut të Ukrainës, në Bjellorusi në kuadër të një stërvitjeje të përbashkët ushtarake.

Ky veprim shton frikën e perëndimit se Moska po përgatit një pushtim konkret ndaj Kievit.

Stërvitja e përbashkët ushtarake po zhvillohet në një kohë kur Rusia ka dërguar mijëra trupa në kufirin lindor të Ukrainës.

Më herët është diskutuar se në rast pushtimi, Rusia mund të dërgonte forcat e veta në Bjellorusi për të rrethuar Ukrainën.

Britania e Madhe ka furnizuar Ukrainën me raketa antitank me rreze të shkurtër veprimi për vetëmbrojtje pasi Rusia grumbulloi trupat e veta në kufijtë ukrainas.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace njoftoi gjithashtu se vendi i tij do të dërgojë edhe disa trupa në Ukrainë për të ofruar trajnime për ushtrinë ukrainase.

Wallace tha se kishte arsye të bindshme për t’u shqetësuar se trupat ruse mund të përdoren për një pushtim.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar do të ofronte ndihmë shtesë për sigurinë e Ukrainës ndërsa sjellja e Moskës bëhet gjithnjë edhe më kërcënuese.

Rusia nga ana tjetër mohon çdo plan për pushtim, duke akuzuar perëndimin për agresion.

Dhjetëra trupa britanike kanë qenë në Ukrainë që nga viti 2015 për të ndihmuar në rindërtimin e marinës ukrainase pas pushtimit të Krimesë nga Rusia në 2014.