Kandidati për president shpallet fajtor për gjuhë urrejtjeje kundër migrantëve
Kandidati për president nga e djathta ekstreme, Eric Zemmour në Francë është gjobitur me 10 mijë euro për nxitjen e gjuhës së urrejtjes gjatë një debati televiziv në vitin 2020.
Zemur u shpall fajtor pasi deklaroi në një studio televizive se fëmijët emigrantë që vinin në Francë ishin hajdutë, vrasës dhe përdhunues.
Në një reagim të tij, Zemur kërkoi largimin e ideologjisë nga gjykatat dhe e quajti drejtësinë politike.
"Mendoj se jam objektivi i drejtësisë politike, e cila padyshim dëshiron të më ndalojë të flas jo vetëm për emigracionin, por edhe për lidhjet e emigrantëve me krimin dhe pasigurinë në vend. Është vetëm drejtësi politike."
Kandidati për president i cili disa kohë më parë u rendit nëpër sondazhe si favorit për president për zgjedhjet e prillit është ekspert i medies dhe njihet për idetë e tij kundër migrimit në Francë.
Avokati i Zemur tha se do ta apelonte vendimin, seancë e cila pritet të mbahet të enjten.
Konservatori u shpreh se gjyqësori është mbytur nga ideologët të cilët cenojnë lirinë e shprehjes, ndërsa vendi është përfshirë nga pasiguria pasi krimi është shtuar ndjeshëm me fluksin e migrimeve, kryesisht nga vendet e botës së tretë.
Zemur ka dy dënime të mëparshme për gjuhë të urrejtjes dhe është hetuar gjithsej 16 herë për komente fyese mbi migracionin dhe Islamin.

