Kulluri: Turqia aleat i NATO-s dhe partner rajonal, Rama bëri shaka të këqija me liderat e tjerë

Në një intervistë për RTV Ora, ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri u shpreh se Turqia është një vend i NATO-s dhe një aleat shumë i fortë i SHBA-ve.

Sipas tij, Rama e ka pasur mbështetjen personale të Erdoganit edhe me tepri, por duhet bërë kujdes në raport me marrëdhëniet rajonale.

Kulluri: Turqia është një vend i NATO-s dhe një aleat shumë i fortë i SHBA-ve. Po ashtu është një partner rajonal që ka ditur që të mbajë balancat. Nuk duhet të harrojmë se janë mbi 5 milionë persona me origjinë shqiptare që jetojnë në Turqi. Nuk besoj se ka nevojë për alarmizma lindor apo perëndimor. Sigurisht që Rama e ka pasur mbështetjen personale të Erdoganit edhe me tepri, por duhet bërë kujdes në raport me marrëdhëniet rajonale.

Unë besoj se Italia duhet të ishte partneri kryesor rajonal, pasi është një vend serioz dhe shumë i fuqishëm. Ne jemi dy vende që përbëjmë hyrjen në detin Adriatik dhe besoj se marrëdhëniet tona nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Ne duhet të shfaqim interesin maksimal edhe për shkak të bashkëpunimit ekonomik që kemi me Itali, po ashtu edhe për shqiptarët e shumtë që ndodhen aty. Ndërkohë Rama vendosi edhe sot të bëjë shaka të këqija me liderat e tjerë evropianë, që duhet të ketë shumë kujdes. Unë nuk e gjej veten tek ky kryeministër.

Kulluri shtoi se Rama duhet ta kuptojë shumë mirë se investimet e BE-së në shumë fusha është i pallogaritshëm në raport me shtetin tonë.

Kulluri: Rama duhet ta kuptojë shumë mirë se investimet e BE-së në shumë fusha është i pallogaritshëm në raport me shtetin tonë. Duket se Rama ka probleme me kujtesën, përballë kontributeve të pamatshme të BE-së kundrejt vendit tonë. Ndërsa sa u takon termave strategjik, ne kemi vetëm një aleat dhe ky vend është SHBA. Kjo gjë është shumë e qartë.