Simbol që rrezikon jetë, ura e vjetër e Bunës në shkatërrim, u rikonstruktua 5 vite më parë
Ura e Vjetër e Bunës në Shkodër është një simbol për qytetin, por tanimë është kthyer në një rrezik serioz për banorët. Pavarësisht se është rikonstruktuar 5 vite më parë ajo sot ka pësuar dëmtime të mëdha ndërsa banorët bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente.
5 vite nga rikonstruksioni i saj, ura e vjetër e Bunës në Shkodër është kthyer në rrezik për kalimtarët.
Dëmtimi i dërrasave të bazamentit të saj ka bërë që këmbësoret dhe ata që lëvizin me biçikleta mbi këtë urë, të tregohen të kujdesshëm, pasi në të kundërt mund të përfundojnë të dëmtuar rëndë.
Pak ditë më parë një fëmijë rrezikoi të përfundonte brenda ujërave të Bunës, prandaj qytetarët bëjnë apel që bashkia dhe çdo institucion që ka detyrimin të ndërhyjë, ta bëjnë sa nuk është vonë.
Në vitin 2017 ishte ministria e mbrojtjes që kreu rikonstruksionin e urës, duke instaluar edhe ndriçimin mbi të.
Ndërsa Prej asaj kohe asnjë ndërhyrje mirëmbajtëse nuk është bërë në këtë vepër, e cila mbetet simbol për qytetin e Shkodrës, por që fatkeqësisht sot po rrezikon jetën e qytetarëve.
