Në qarkullim varianti A, 15 mijë persona me grip në të gjithë vendin

Paralelisht me Covid-19 në Shqipëri prej dhjetorit po qarkullon edhe gripi sezonal i variantit A. Temperatura e lartë është shenjë karakteristike, ndërsa sipas Institutit të Shëndetit Publik në mbarë vendin janë të prekur nga infeksionet respiratore rreth 15 mijë persona.

Ndryshe nga një vit më parë, në Shqipëri përveç Covid-19 po qarkullon edhe virusi i gripit.

Epidemiologu i Institutit të Shëndetit Publik, Artan Simaku, thotë se në të gjithë vendin janë të prekur nga infeksionet respiratore rreth 15 mijë persona.

"Janë rreth 15 mijë persona që paraqiten në sistemin ambulator me infeksione respiratore të sipërme dhe të poshtme."

Në dallim nga virusi, gripi manifestohet me temperaturë më të lartë.

"Pacientët nëse dyshojnë për shenjat duhet të konsultohen direkt me mjekun e familjes. Është ai që vlerëson gjendjen dhe përcakton mjekimin. Nëse fëmijët janë me temperaturë nuk duhet të shkojnë në shkollë, po ashtu të rriturit nuk duhet të shkojnë në vendet e punës me temperaturë. Mos të shkojnë as në farmaci për mjekim pa u konsultuar me mjekun."

Për të shmangur komplikacionet, mjeku këshillon kryerjen e vaksinës, sidomos për grupet e rrezikuara.

"Duhen vaksinuar grupet e riskut që janë të moshuarit, fëmijët dhe gratë shtatzëna."

Në vend prej dhjetorit qarkullon variant i A i gripit, ndërsa janë vaksinuar rreth 85% e personave që bëjnë pjesë në grupet e riskut.